Turqi, pesë kompani do të nisin prodhimin e automjetit vendor

Pesë kompanitë e bashkuara turke Anadolu Group, BMC, Kok Group, Turkcell dhe Zorlu Holding planifikojnë të ndërtojnë automjetin e parë vendor. Kompania që do të prodhojë automjetin është quajtur Grupi Inicues i Automobilizmit Turk, raporton Anadolu Agency (AA).

Mehmet Gurcan Karakas, është një nga drejtuesit kryesorë të gjigantit teknologjik Bosch, i cili gjithashtu është edhe menaxher i suksesshëm në tregun global të automjeteve u emërua drejtor ekzekutiv.

Karakas në deklaratën e tij tha se ai ka marrë pjesë aktive në teknologjinë e automjeteve gjatë 12 viteve të fundit.

“Kam lindur dhe jam rritur në Turqi, kam studiuar në këtë vend dhe kam bërë hapin tim të parë në jetën e biznesit”, tha ai.

Ai shtoi gjithashtu se është i lumtur që përmes këtij projekti ka rastin të bartë njohuritë dhe përvojën e tij në tregun global në vendin e vet.

“Të jeni të bindur se Turqia do të prodhojë një markë konkurruese në tregun global”, shtoi Karakas.

Ministri i Shkencës, Industrisë dhe Teknologjisë, Faruk Ozlu tha se projekti i ri është një përparim teknologjik për vendin.

“Si qeveri dhe ministri ne do të sigurojmë mbështetjen e nevojshme, veçanërisht në kërkimin dhe zhvillimin, projektim dhe prodhim, gjithashtu ne do të bëjmë aranzhmanet e nevojshme për prodhimin e një infrastrukture për automjetet elektrike në Turqi”, shtoi Ozl.

Iniciativa për prodhimin e automjeteve erdhi pas thirrjes së Presidentit Recep Tayyip Erdoğan për projektin e përbashkët të automjeteve TOBB dhe Ministrisë së Shkencës, Industrisë dhe Teknologjisë të Turqisë.

Nëntorin e kaluar, Erdoğan njoftoi se prototipi i automjetit të parë të prodhuar, prodhimi i të cilit do të zhvillohet në Ankara, do të jetë gati në vitin 2019 dhe do të hyjë në treg në vitin 2021.

“Dua të kem automjetin e parë, me kusht që të paguaj për të. Askush nuk duhet të ngurrojë, ne do të prodhojmë automjetin turk me dizajn dhe teknologjinë më të mirë, si për vendin tonë ashtu edhe për botën”, tha Erdoğan në nëntor.

Erdoğan vlerësoi përpjekjet e bëra për të siguruar që prodhimi masiv i automjetit të parë autokton do të jetë elektrik ose hibrid.

Turqia u përpoq të prodhonte automjetin e parë në vitin 1961, Devrim (Revolucioni), e cila ishte një përpjekje e pasuksesshme. Prodhimi u ndërpre pas prototipeve të para.