Rajoni piktoresk Kapadokya i Turqisë tërhoqi afro dy milionë turistë në dhjetë muajt e parë të vitit 2021, sipas shifrave zyrtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjithsej 1,91 milion vizitorë vendas dhe ndërkombëtarë erdhën për të vizituar perlën turistike në provincën qendrore Nevşehir, e njohur për zonën e veçantë të shkëmbinjve përrallorë, qytetin nëntokësor, hotelet në shpella dhe shëtitjet me balona.
Kapadokya priti mbi 874 mijë vizitorë vitin e kaluar, pavarësisht kufizimeve të vendosura për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Ndërsa Rrënojat Zelve ishin vendi më i vizituar duke tërhequr mbi 534 mijë turistë, Muzeu i Hapur Göreme u vizitua nga rreth 458 mijë njerëz.
Rajoni priti numrin më të madh të vizitorëve, 428.883, në gusht.
Sami Dasdeler, një nga profesionistët e turizmit në rajon, tha për AA se trafiku turistik është rritur nga qershori dhe shkalla e frekuencës ka kaluar 80 për qind.
“Kapadokya ka një pamje të ndryshme në çdo stinë. Njerëzit preferojnë ta vizitojnë në vjeshtë pasi ka kushte të mira moti. Shëtitjet me balona janë ndër aktivitetet e patjetërsueshme për ata që vijnë në rajon”, tha ai.
Vizitorët gjithashtu mund të bëjnë turne me kalë, të ngasin automjete jashtë rrugës ose të kalojnë kohë duke ecur nëpër lugina, shtoi ai.
Kemal Cingil, pronari i një dyqani, tha se më shumë turistë vizituan rajonin sesa pritej.
“Rezervimet në hotele vazhdojnë të rriten dhe duket se vitin e ardhshëm do të jetë më mirë”, shtoi ai. /aa