Turqi, operacion kundër strukturave të FETO-s në ushtri, 41 të arrestuar

Gjatë një operacioni të organizuar në 40 lokacione në qytetin e Izmirit të Turqisë kundër strukturave të organizatës terroriste FETO brenda Forcave të Armatosura të Turqisë, u arrestuan 41 nga 54 ushtarakët e dyshuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Prokuroria në Izmir njoftoi se bëhet fjalë për presona për të cilët është konstatuar se kanë patur kontakt me krerët e organizatës terroriste FETO përmes telefonit.

Më tej theksohet se 30 prej tyre ishin pjesëtarë aktiv në Forcat e Armatosura të Turqisë, kurse 11 ishin larguar më parë.

Të gjithë të dyshuarit kishin gradën e nënoficerit, 24 prej të cilëve punonin në Komandën e Forcave Ajrore, 13 në Komandën Kryesore të Xhandarmerisë, 10 në Komandën e Forcave Tokësore dhe 7 në Komandën e Forcave Detare.

Vazhdojnë operacionet për arrestimin edhe të dyshuarve të tjerë.

Organizata terroriste FETO është përgjegjëse për përpjekjen e përgjakshme të grusht shtetit të dështuar në Turqi në mbrëmjen e 15 korrikut të vitit 2016.

Në krye të organizatës qëndron Fetullah Gulen, me seli në SHBA, ekstradimin e të cilit Turqia edhe zyrtarisht e ka kërkuar nga SHBA.

Pjesëtarët e organizatës terroriste me vite përmes kurdisjes së provimeve janë avancuar në detyrë, duke u infiltruar në institucionet shtetërore. Kështu, fillimisht në dhjetor të vitit 2013, ithtarët e FETO-s në gjykatën turke përmes një procesi të montuar për gjoja korrupsion tentuan të ndjekin një numër zyrtarësh të lartë.

Disa vite më pas pasoi tentimi i përgjakshëm i grusht shtetit të dështuar të terroristëve të FETO-s, apo më saktësisht përpjekja e grusht shtetit të kryer nga oficerët e infiltruar të FETO-s në ushtrinë turke.

Hetimet kundër organizatës terroriste FETO treguan se është një rrjet global e cila nuk paraqet rrezik vetëm për Turqinë, por edhe në çdo vend tjetër ku është aktive. Për këtë në disa raste kanë paralajmëruar zyrtarët turq. Gjatë përpjekjes së grusht shtetit të dështuar në Turqi ranë 251 dëshmorë dhe u plagosën rreth 2.200 të tjerë.