Një nga qilimat më gjigant në botë i vjetër gati 120 vite, i cili zbukuron dyshemenë e sallonit gala të Pallatit Yildiz, kohët e fundit është nxjerrë nga pallati për t’u pastruar dhe restauruar, shkruan Anadolu Agency (AA).
Qilimi “Hereke” i punuar në vitin e largët 1897, zbukuron dyshemenë e sallonit gala me rastin e takimit të atëhershëm të Sulltan Abdulhamidit II dhe Mbretit gjerman Wilhelm II.
Pas 12 dekadash qilimi për herë të parë është nxjerr nga pallati dhe u la në një pishinë të ndërtuar enkas me mjete të veçanta për ta përgatitur për procesin e restaurimit.
Qilimi peshon rreth 3 ton dhe mbulon një sipërfaqe prej 468 metrash katrorë. Sallonit të vet do t’i kthehet përsëri pas restaurimit i cili do të zgjasë rreth 3 vite.
Zv/drejtori i Departamentit për Menaxhim me Pallatet Kombëtare të Turqisë, Ahmet Çapoğlu për AA tha se ky është qilimi më i madh në Turqi dhe një nga më të mëdhenjtë në botë.
“Ky është një artefakt i çmuar historik. Sulltani Abdulhamid e pati urdhëruar të bëhet me rastin e pritjes së Mbretit gjerman Wilhelm. Larat në qilim janë dizajnuar nga piktori i oborrit Emil Meinz”, tha Çapoğlu.
Qilimi është dizajnuar në përputhje me stolitë në muret dhe tavanin e Sallonit të Madh në pallat ndërsa Çapoğlu tha se qilimi është dërguar në një vend të veçantë për restaurimin që ishte i nevojshëm, sepse me kalimin e kohës ka pasur dëme të dukshme.
Larja e qilimit ishte gjithashtu një angazhim i përkushtueshëm, me ç’rast u përdor një detergjent i veçantë, i bërë nga ekspertë të Universitetit Teknik të Stambollit.
“Me restaurimin e qilimit në 2,3 deri 3 vitet e ardhshme do të merren profesionistë të Departamentit për Menaxhim me Pallatet Kombëtare të Turqisë”, tha Çapoğlu.