Ka nisur procesi i votimit për referendumin në Turqi, ku qytetarët e këtij vendi do të votojnë mbi ndryshimet kushtetuese të propozuara të cilat parashohin implementimin e sistemit presidencial të qeverisjes, raporton Anadolu Agency (AA).
Deri më sot në Turqi janë zhvilluar 6 referendume për ndryshimet kushtetuese. Të cilësuar si “referendum” ata janë zhvilluar në vitet 1961, 1982, 1987, 1988, 2007 dhe 2010, ndërsa vetëm në atë të 1988-ës qytetarët i thanë jo ndryshimeve kushtetuese.
Sot shkohet në kutitë e votimit për herë të 7-të në referendum për ndryshimet kushtetuese prej 18 pikash të cilat synojnë të kthejnë sistemin e qeverisjes në “sistem presidencial”. Numri i votuesve të regjistruar në Turqi është 55 milionë e 319 mijë e 222 zgjedhës rezidentë në këtë vend. Ata do të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në 167 mijë e 140 qendra votimi. Ndërkohë 461 qendra votimi do të hapen edhe në burgje.
Qytetarët do të mund të votojnë me dokumentin e zgjedhjeve, nëse nuk e kanë atë atëherë do të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës duke treguar një mjet identifikimi, apo një dokument i lëshuar nga autoritetet në mungesë të dokumentit të identifikimit.
Fleta e votimit përbëhet nga dy ngjyra, pjesa e bardhë është për “po”, ndërsa ajo ngjyrë kafe është “jo”. Fleta do të vendoset në një zarf të posaçëm me filigramin e “Komisionit të Lartë të Zgjedhjeve të Republikës së Turqisë”.
Oraret e votimit
Ndërkohë që në disa qytete të Turqisë orari i votimit do të jetë 07:00 – 16:00, sipas orës lokale, kryesisht në qytetet perëndimore qytetarët do të mund të votojnë nga ora 08:00 deri në orën 17:00.
Ndërkohë nëse në qendrat e votimeve do të ketë ende njerëz që duan të votojnë, ato do të qëndrojnë të hapura deri sa të përfundojë votimi.
Rreth orës 18:00 të ditës së sotme merr fund fushata elektorale, ndërsa vendi do të futet në heshtjen zgjedhore.
Votat jashtë vendit
Votimet për qytetarët të cilët jetojnë jashtë Turqisë nisën më 27 mars dhe përfunduan më 9 prill. Në 57 vende të botës janë hapur 120 qendra votimi. Në këto qendra votimi kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës 1 milionë e 326 mijë e 70 persona. Zarfet e votave të përdorura jashtë vendit janë dërguar në Turqi përmes shoqëruesve diplomatikë. Ata do të numërohen në të njëjtën kohë me votat në vend.
Nga ana tjetër votimi do të vazhdojë deri në orën 17:00 edhe në pikat kufitare të Turqisë.
Ndalimet gjatë ditës së zgjedhjeve
Sipas kushtetutës së Turqisë ditën e referendumit nga ora 06:00 deri më 24:00 nuk lejohet shitja dhe konsumimi i pijeve alkoolike, ndërsa në restorantet apo vendet e zbavitjeve do të mund të shërbehet vetëm ushqim.
Përveç forcave të ruajtjes së rendit askush nuk mund të mbajë armë. Ndërsa mediat deri në orën 18:00 nuk mund të japin asnjë rezultat. Ndërsa nga kjo orë deri në orën 21:00 mediat mund të transmetojnë vetëm deklaratat e Këshillit të Lartë të Zgjedhjeve.
Pas orës 21:00 të gjitha llojet e publikimeve për votimet mund të bëhen. Ndërsa Këshilli i Lartë i Zgjedhjeve mund të vendosë edhe para kësaj ore për heqjen e ndalimit të publikimeve.
Për çfarë do të votohet?
Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të 18 neneve, parashikohet rritja e numrit të deputetëve nga 550 që është aktualisht të shkojë në 600 dhe ulja e moshës për deputet nga 25 në 18 vjeç.
Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të bëhen një herë në 5 vite dhe në të njëjtën ditë. Personit të zgjedhur si president nuk do ti hiqet lidhja me partinë.
Kandidati për president mund të zgjidhet nga grupet parlamentare, partitë të cilat kanë marrë më shumë se 5 për qind të votave në zgjedhjet paraprake, ose me firmat e 100 mijë qytetarëve.
Nëse Presidenti akuzohet për diçka, parlamenti do të ketë mundësi që me një shumicë të theksuar ti hapë rrugën e dërgimit përpara drejtësisë.
Zëvendësit e Presidentit dhe ministrat do të mund të zgjidhen dhe shkarkohen nga presidenti. Ngritja e ministrive të reja, heqja, dhënia e detyrave, apo organizimi i tyre do të bëhet me vendim të presidentit.
Parlamenti me tre të pestat e votave do të mund të dërgojë vendin në zgjedhje të reja.
Nëse presidenti vendos për zgjedhje të reja, zgjedhjet presidenciale bëhen bashkë me ato parlamentare.
Nëse parlamenti vendos të shkojë në zgjedhje të parakohshme, gjatë mandatit të dytë të presidentit, atëherë presidenti në detyrë do të ketë të drejtë të hedhë përsëri kandidaturën.
Numri i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të ulet nga 17 në 15.
Zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale pas referendumit do të zhvillohen më 3 nëntor 2019.