Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve të Turqisë njoftoi se nga 174 zjarre që kanë shpërthyer që nga 28 korriku e deri më tani janë vendosur nën kontroll 160 zjarre dhe se 14 prej tyre vazhdojnë të jenë aktive, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve njoftohet se në periudhën 28 korrik – 4 gusht kanë shpërthyer 174 zjarre të pyjeve në gjithsej 39 qytete.
Nga zjarret në fjalë janë marrë nën kontroll 160 prej tyre, thuhet në deklaratën në të cilën informohet se vazhdojnë punimet për të vendosur nën kontroll 14 zjarre në 5 qytete.
“Gjithashtu ekipet tona kanë ndërhyrë ndaj 98 zjarreve në zona rurale. Në luftën me zjarret që vazhdojnë aktualisht janë mobilizuar gjithsej 16 avionë me ujë, 9 dronë, 5 helikopterë, 1 helikopter pa pilot, 850 spërkatës dhe cisterna uji, 150 makineri pune dhe një personel prej rreth 5.250 personash”, thuhet në deklaratë. /aa