Ballina Kulturë Feja Turqi, nesër hapja solemne e xhamisë në sheshin e Stambollit-Taksim

Turqi, nesër hapja solemne e xhamisë në sheshin e Stambollit-Taksim

Sheshi Taksim, Stamboll

Xhamia e sapondërtuar në sheshin e famshëm Taksim të Stambollit, ku 2.250 njerëz do të jenë në gjendje të luten në të njëjtën kohë, do të përurohet nesër, raporton Anadolu Agency (AA).

Hapja solemne do të bëhet pas namazit të xhumasë, kurse në ceremoninë e hapjes i pranishëm do të jetë presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.

Gurthemeli i xhamisë u hodh më 17 shkurt të vitit 2017 ndërsa projekti i perlës së re të Bosforit është vepër e arkitektëve Sefik Birkiye dhe Selim Dalaman.

Xhamia, e cila tashmë është bërë një simbol i Sheshit Taksim, është në afërsi të Kishës Ortodokse Greke, e cila do të përfaqësojë një tërësi të veçantë.

Kompleksi i xhamisë ndodhet në platonë e Taksimit dhe përfshin vend parkimi, sallë konferencash dhe ekspozitash, si dhe një bibliotekë dixhitale Islame.

– Lartësia e minares 61 metra

Lartësia e xhamisë është 21 metra. Kupola kryesore, e cila ka një diametër prej 28 metrash, është e lartë nëntë metra. Lartësia e dy minareve është 61 metra secila.

Punimet kaligrafike dhe dekorimi i xhamisë u bënë nga artistët Davut Bektas dhe Adem Turan.

Në kupolën qendrore janë gdhendur vargjet e sures kuranore Fatiha. Xhamia është gjithashtu e zbukuruar me fragmente nga suret kur’anore Ali-Imran, Al-Baqara, Hasr, Ihlas, En-Nisa, Ra’d.

Në pjesën e brendshme të xhamisë, e cila është karakteristikë e xhamive të ndërtuara në stilin e arkitekturës osmane, ka gjashtë gdhendje kaligrafike në mure. Në murin e përparmë “Allah” dhe “Muhamed”, dhe në muret anësore emrat e katër halifëve të drejtë: “Abu Bakr”, “Umar”, “Uthman” dhe “Ali”

Në xhaminë në Taksim, u vendos një qilim i endur posaçërisht në ngjyrën e qimeve të devesë, i cili u bë në qytetin turk Manisa.

Lartësia e mihrabit të xhamisë është 8.5 metra. Në sipërfaqen e mihrabit janë shkruar emrat e bukur të Zotit (Esma ul-Husna), në mes “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, Muhamedi është i Dërguari i Tij”. (Kelime-i Tevhid). Në pjesën e poshtme të mihrabit është shkruar një ajet nga Kur’ani në turqisht: “Xhamitë janë për hir të Allahut dhe mos i luteni askujt përveç Allahut!”.

Minberi dhe kursia janë dizajnuar posaçërisht gjithashtu për këtë xhami, në to janë shkruar emrat e bukur të Allahut.

– Xhamia ka 4 hyrje

Xhamia ndriçohet nga një llambadar i gjerë 12 metra dhe i gjatë 20 metra, me gjithsej 60 poçe.

Dera kryesore e hyrjes së xhamisë, e cila ka gjithsej 4 hyrje, është prej çeliku. Dera kryesore është 7 metra e lartë dhe e gjerë 3 metra e 10 centimetra.

Kompleksi i xhamisë gjithashtu përfshin një parking tre-katësh me një kapacitet prej 165 automjetesh. /aa

Exit mobile version