Një rrugë malore mes provincave Trabzon dhe Bayburt në verilindje të Turqisë, e cila është zgjedhur si “rruga më e rrezikshme” në botë në një faqe interneti që prezanton rrugët e vështira dhe të rrezikshme nëpër botë, pret të apasionuarit pas aventurave ta vizitojnë atë, në mënyrë që të zbulojnë vende të reja dhe të përjetojnë emocione, shkruan Anadolu Agency (AA).
Lakorja Derebaşı, e cila para dy viteve u zgjodh si rruga më e rrezishme në botë në faqen e internetit www.dangerousroads.org, lidh provincat Trabzon dhe Bayburt përmes Malit Soğanlı, distancën më të shkurtër mes tyre, në lartësi prej 3.500 metrash.
E gjatë afërsisht 106 kilometra, Lakorja Derebaşı vende vende thuhet të jetë madje më e rrezikshme se e ashtuquajtura “rruga e vdekjes” në Bolivi.
Rruga në fjalë për herë të parë është ndërtuar gjatë pushtimit rus në vitin 1914, duke angazhuar në punë popullatën vendase, duke bërë pothuajse të pamundurën në një sipërfaqe shkëmbore.
Për shkak se gjendet në rajonin e Detit të Zi, Lakorja Derebaşı karakterizohet me prani të shpeshtë të mjegullës, reshjeve, rrëshqitjes së dheut, borës dhe orteqeve. Këto karakteristika kanë bërë që rruga botërisht të njihet si “rruga e vështirë”.
Për shkak të reshjeve të borës, transporti në rrugën Bayburt-Trabzon ndërpriten për gjashtë muaj të vitit.
Megjithatë, popullata lokale vazhdon ta përdorë rrugën me të gjitha llojet e mjeteve rrugore.