Turqia sot rifilloi pjesërisht namazin me xhemat në xhami, përfshirë atë të xhumasë, pasi vendi i lehtësoi masat kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Pas një ndalese 74-ditore për shkak të masave për të frenuar përhapjen e COVID-19, namazi i xhumasë u fal në gjithë vendin në xhamitë me oborr të përshtatshëm ose zona të hapura.
Për dallim nga namazet normale me xhemat brenda xhamive ku njerëzit qëndrojnë në radhë pranë njëri-tjetrit, namazi i xhumasë sot u fal kryesisht jashtë, duke u respektuar masa e distancës fizike. Mbajtja e maskave ishte e detyrueshme për të gjithë.
Maska dhe shtroja për një përdorim të vetëm u shpërndanë nga personeli i xhamive dhe autoritetet e tjera të caktuara për njerëzit që nuk kishin sixhade.
Materialet e konsideruara si të rrezikshme për përhapjen e virusit, si tespihet, tavolinat e leximit dhe lugët e kpëpucëve, nuk u lejuan në xhami.
Për të mbajtur në minimum hapësirën e përbashkët, vendet si dhomat e avdesit dhe tualetet mbetën të mbyllura.
Imamët po ashtu u kujdesën që kohëzgjatja të jetë më e shkurtër se zakonisht.
Të enjten, Ali Erbaş, kreu i Drejtorisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, tha për AA se zonat e hapura, tregjet afër xhamive pa oborr, gjithashtu do të përdoren për namaz.
Ai nënvizoi se kthimi në namazet me xhemat në xhami do të jetë gradual. Në fazën e parë, dy nga pesë namazet ditore, si dhe namazi i xhumasë, do të lejohen me xhemat, duke shtuar se namazet e tjera ditore do të lejohen gradualisht në javët e ardhshme.
Në vaktet e tjera, xhamitë do të mbahen të hapura për personat që duan të falin namazin individualisht.
Më 16 mars, organi i lartë fetar i vendit njoftoi pezullimin mbarëkombëtar namazeve me xhemat, përfshirë namazin e xhumasë, si pasojë e koronavirusit.