Këshilli i Lartë i Drejtorisë për Çështje Fetare të Republikës së Turqisë (Diyanet) sot publikoi raportin “Shpërdorimi i religjionit me retorikën e organizatës terroriste FETO”, përkatësisht analizën e retorikës fetare gjatë katër dekadave të fundit të përdorura nga lideri i organizatës terroriste Fethullah Gylen, raporton Anadolu Agency (AA).
Raporti në lidhje me dëmin që i ka shkaktuar FETO fesë Islame është bërë pas analizës së 80 librave dhe dëgjimit të materialeve audio-vizuale për rreth 670 orë, të cilat kanë të bëjnë me paraqitjen e udhëheqësit të organizatës terroriste FETO Fetullah Gylen.
Në raportin prej gjithsej 140 faqesh, theksohet se Gylen ka dhënë përpjekje të mëdha dhe sistematike në mënyrë që të perceptohet si personalitet i jashtëzakonshëm.
Sipas raportit, në librat dhe audio-materialet e analizuara, Gylen që nga fillimi i ka mësuar pjesëtarët e organizatës se “Fetullah Gylen nuk është person i zakonshëm. Ai është person i veçantë i zgjedhur nga Allahu për rigjallërimin e Islamit në Ditët e Fundit”.
Po ashtu, në raport thuhet se pjesëtarëve të organizatës sistematikisht u është mësuar se lëvizja e nisur nga Gyleni nuk është çfarëdolloj lëvizje dhe se pjesëtarët e saj janë komunitet i dalluar, sikurse komuniteti i shokëve (sahabe) të Profetit Muhamed, madje se janë gjenerata e dytë e shokëve të profetit.
Në raport bëhet e ditur se Gylen e ka paraqitur veten si njohës i mirë i fesë Islame dhe është përpjekur të krijojë një përshtypje të tillë, në mënyrë që t’i bind pjesëtarët me ide të lajthitura.
Urdhrat personale i ka prezantuar si urdhra të profetit
Në raportin e Dijanetit thuhet se Gylen ua ka parashtruar urdhrat anëtarëve të organizatës sikur janë urdhra të profetit.
Në librat dhe audio-materialet e analizuara vërehet se si Gylen pretendon të takohet në gjumë apo zgjuar me profetin Muhamed dhe anëtarëve ua parashtron urdhrat sikur të jenë urdhra të profetit, thuhet në raport. Lidhur me këtë, raporti thekson se FETO në këtë mënyrë ka shkelur parimet e fesë në një mënyrë të cilën një musliman nuk do ta bënte asnjëherë.
Gylen ka pretenduar se profeti Muhamed gjendet në mesin e xhematit të xhamisë në të cilën mban fjalim Gyleni, pretendim ky i cili sipas raportit është delirium i zhveshur nga feja të cilin Gylen e ka përdorur për të ekzaltuar veten.
Sipas raportit, në disa predikime Gylen po ashtu ka pretenduar se ka lidhje dhe kontakt të veçantë me Zotin.
Madje, në një predikim në Xhaminë Hisar në Izmir më 9 korrik të vitit 1979, ai kishte shkuar aq larg sa të thotë se flet në emër të Zotit.
Në një fjalim tjetër, Gylen kishte thënë se “të hidhërosh atë, do të thotë të hidhërosh Allahun”, duke i kërcënuar me ferr ata që nuk i binden.
“Ekziston një ditë kur gjithçka do të shpaloset. Do të shihemi para Allahut. Mbase atë ditë një person zemërbutë si unë mund t’i thotë Allahut se nuk do të hyjë në parajsë pa hyrë këta ‘kobra’, por ekziston edhe hak ndaj Allahut dhe për këtë arsye nuk më dëgjojnë shumë. Andaj, zemërbutësia ime nuk hyn aq në punë atë ditë. Të mos i besojnë shumë asaj”, citohet Gylen të ketë thënë në fjalimin e njëjtë.
Po ashtu, gjithnjë sipas raportit, Gylen ka pretenduar se mallkimet e tij gjithnjë pranohen, se shkuarja e tij në parajsë është e garantuar dhe se atij do t’i jepet mundësia për t’i shpëtuar të tjerët nga ferri.
Në raport më tej thuhet se Gylen i ka indoktrinuar pjesëtarët e organizatës me idenë se ai mund të takohet me profetin Muhamed në ëndërr dhe zgjuar. Ndërkaq, në librin “Eliksiri i pavdekësisë” (Ölümsüzlük İksiri) ai ka shkuar në nivel më të lartë me këto pretendime, duke pohuar se madje mund të marrë urdhra dhe lajme nga profeti.
Në një fjalim të mbajtur më 17 gusht të vitit 1987, Gylen ka pretenduar se në predikimin e tij ka marrë pjesë edhe profeti Muhamed, thuhet në raportin e Dijanetit. Ndërkaq, më 6 nëntor të vitit 1978, sipas raprotit, Gylen madje kishte pretenduar se “ka bërë që profeti Muhamed t’i puthë ballin atij”.