Zona arkeologjike Arslantepe në provincën lindore Malatya të Turqisë mund të zë vend në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2019.
Kodrina arkeologjike me sipërfaqe prej katër hektarësh dhe e lartë 30 metra e cila shtrihet pesë kilometra larg qendrës së qytetit, u pranua në Listën e Përkohshme të UNESCO-s më 15 prill të vitit 2014.
Sipas faqes së internetit të UNESCO-s, Arslantepe është një dëshmi “e jashtëzakonshme” për paraqitjen e parë të shoqërisë shtetërore në Lindjen e Afërme.
“Zona arkeologjike Arslantepe dhe pallati i saj i mijëvjeçarit të katërt në veçanti janë dëshmi e dukshme e procesit vendimtar të formimit të shtetit dhe transformimit të shoqërisë nga egalitar në hierarkik dhe politikisht të centralizuar”, thuhet nga UNESCO.
Çetin Şişman, drejtor provincial i kulturës dhe turizmit në Malatya, tha për Anadolu Agency (AA) se Arslantepe është një nga kodrinat më të mëdha në rajonin e Anadollit dhe se janë duke i vazhduar përgatitjet që vendi të shtohet në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
“Ne do të bëjmë aplikimin zyrtar në vitin 2019. Nuk është e mjaftueshme që të jemi në listën e përkohshme”, tha Şişman.
Ai shtoi se drejtoria ka bërë disa projekte për vendin që do të shtohet në listën e përhershme.
“Ne do të krijojmë një qendër pritjeje në Arslantepe me një buxhet prej një milion lirash turke në kuadër të Projektit të Anadollit Lindor”, theksoi Şişman.
Sipas UNESCO-s, gërmimet në Arslantepe janë kryer që nga viti 1961 në emër të Ministrisë turke të Kulturës dhe Turizmit dhe Ekspeditës Arkeologjike Italiane të Universitetit Sapienza të Romës.