Turqi, arrestohen 66 terroristë të dyshuar të FETO-s

Policia turke arrestoi 66 të dyshuar në të gjithë vendin, nën dyshimet për lidhje me Organizatën Terroriste FETO, grupi i cili qëndron pas grusht shtetit të mposhtur të vitit 2016, thanë burimet e sigurisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ekipet e Departamentit të antiterrorit dhe inteligjencës konstatuan se të dyshuarit shpesh ndryshonin adresat e tyre për të mos u kapur dhe përdornin me qira “shtëpi të sigurta” përmes të afërmve të tyre, të cilët nuk janë në regjistër të lidhjeve me grupin terrorist, thanë burimet, të cilët kërkuan të mbeten anonim për shkak të kufizimeve për t’u prononcuar për media.

Operacioni për kapjen e të dyshuarve të identifikuar është kryer si pjesë e një hetimi të filluar nga prokurorët në provincën Izmir të Egjeut.

Të dyshuarit, në mesin e të cilëve, anëtarë të supozuar të lartë dhe “imamë të fshehtë” të grupit terrorist, u arrestuan në operacionet me bazë në Izmir në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Gjatë bastisjeve, policia sekuestroi gjithashtu shuma të pazbuluara parash, dokumente të rreme dhe materiale dixhitale.

FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gülen orkestruan grusht shtetin e mposhtur të 15 korrikut 2016 i cili la 251 martirë dhe rreth 2.200 të plagosur.

Ankaraja gjithashtu akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Që nga përpjekja e grusht shtetit, dhjetëra mijëra të dyshuar të FETO-s janë arrestuar, përfshirë shumë prej tyre në forcat e armatosura, polici, sistemin gjyqësor dhe sektorin e arsimit.