Turqi, arrestohen 18 irakianë për lidhje me grupin terrorist DEASH

Policia në kryeqytetin turk Ankara ka arrestuar 18 shtetas irakianë për lidhje të dyshuara me grupin terrorist DEASH, raporton Anadolu Agency (AA).

Burimet e sigurisë, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të kufizimeve për të folur me mediat, theksuan se arrestimet u kryen sot në kuadër të një operacioni kundër grupit terrorist.

Sipas informacioneve të siguruara nga AA, të paktën 20 të dyshuar, të cilët u zbuluan se ishin në kontakt në rajonet e konfliktit dhe me operativët e DEASH-it, u identifikuan në një operacion nga ekipet e kundër-terrorit të policisë provinciale, të mbështetur nga Organizata Kombëtare e Intelegjencës.

Policia vazhdon kërkimin për dy të dyshuarit e arratisur.

Në vitin 2013, Turqia ishte ndër vendet e para që emëroi DEASH-in si një grup terrorist.

Turqia është goditur nga DEASH në të paktën 10 sulme vetëvrasëse, shtatë bomba dhe katër sulme të armatosura, në të cilat 315 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur.

Në përgjigje, Turqia ka filluar operacione ushtarake dhe policore brenda dhe jashtë vendit për të parandaluar sulme të mëtejshme terroriste.