Turqi, anëtarët e grupit terrorist FETO dënohen me burg të përjetshëm

Një gjykatë turke u caktoi sot dënime të përjetshme 86 anëtarëve të organizatës terroriste FETO për përpjekjen për të rrëzuar rendin kushtetues në grusht shtetin e mposhtur në vitin 2016, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjykata Penale e Ankarasë caktoi dënimet në këtë rast, në lidhje me veprimet e paligjshme të të pandehurve në Komandën e Xhandarmërisë Turke në kryeqytetin Ankara gjatë tentimit për grusht shtet.

Përveç 86 dënimeve të përjetshme, gjykata u caktoi dënime të përjetshme edhe 35 të tjerëve, gjithashtu për përpjekjen për rrëzimin e rendit kushtetues.

Në të njëjtin rast, ish-koloneli Erkan Öktem, i cili plagosi kreun e atëhershëm të Departamentit të Luftës Kundër Terrorizmit Turgut Aslan natën e tentimit për grusht shteti, u dënua me nëntë dënime të përjetshme plus 20 vjet për vrasje të shkallës së parë dhe tentim për vrasje.

Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA Fetullah Gülen orkestruan grushtin e shtetit të mposhtur më 15 korrik 2016, në të cilin ranë 251 dëshmorë dhe afro 2.200 të tjerë u plagosën.

FETO qëndron pas një fushate të gjatë për rrëzimin e shtetit përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.