Tetëdhjetë-e-një-vjeçari Halit Macit nga qyteti i Trabzonit në Turqinë verilindore u diplomua së fundmi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Anadolu, duke marrë diplomën e tij të katërt universitare.
Macit për herë të parë mori diplomën e inxhinierisë në Universitetin Cumhuriyet në vitin 1991 dhe më vonë u diplomua në Shkollat e Larta Teknike në Stamboll dhe Ankara.
Pas një karriere të suksesshme, ai u pensionua në vitet 1990 dhe ishte anëtar i Këshillit Bashkiak për ca kohë, ndërsa ka marrë çmime të shumta dhe letra mirënjohjeje nga institucione të ndryshme për punën e tij.
Duke folur për Anadolu Agency (AA), ai tha se nuk është kurrë vonë për të mësuar dhe për të marrë njohuri, duke shtuar se ai ka arritur të diplomohet në Fakultetin e Drejtësisë për vetëm dy vjet e gjysmë.
Përkundër moshës së shtyrë, ai vazhdon të kryejë detyra të caktuara si inxhinier, ndërsa e ka kaluar tërë jetën duke punuar shumë, duke lexuar dhe fituar njohuri të reja.
Macit thotë se i pëlqen të lexojë, në kohën e lirë shkruan poezi, kurse deri më tani ka botuar pesë libra dhe libri më i fundit është gati për t’u shtypur.
“Njerëzit hasin në ngjarje dhe informacione të reja ndërsa lexojnë dhe edukojnë veten e tyre. Njerëzit përpiqen t’i mposhtin vështirësitë e jetës”, tha Macit, duke shtuar se ai këshillon të gjithë njerëzit gjithmonë dhe kudo që të arsimohen më tej dhe të avancojnë njohuritë e tyre.
“Qeniet njerëzore përmes arsimit bëjnë zbulime të reja dhe kështu e bëjnë botën një vend më të mirë dhe më të lumtur për të jetuar”, tha ai, duke thënë se ka mësuar shumë teksa ka stiduar në Fakultetin e Drejtësisë.
“Ngrihesha në ora 3:00 të mëngjesit. Mësoja shumë më mirë në këtë kohë. Kam kaluar 32 lëndë. Para testeve, përgatitja shënime dhe lexoja libra përkatës dhe gjithashtu përdorja internetin në studimet e mia”, tha Macit.
Ai tha se asnjëherë nuk do të heqë dorë nga arsimimi dhe rritja e njohurive, ndërsa theksoi se gjatë arsimimit ka ndjekur edhe urdhrin “lexo” të Zotit.
Macit porositi të rinjtë që në kohën e lirë të lexojnë gjithmonë diçka dhe të arsimohen mbi botën përreth tyre.
“Libri është miku më i mirë i njeriut. Të rinjtë duhet të kenë libër në duar edhe kur janë në autobus ose tramvaj. Leximi i mëson njerëzit për atë që nuk e dinë dhe i mëson se si të jetojnë mirë”, thekson Macit.
Tahsin Albayrak, koordinator për Trabzon i Studimeve me Korrespondencë i Universitetit Anadolu, tha se ai u takua me Macit-in në vitin 2017 kur sapo ishte regjistruar në fakultet.
“Ne jemi vërtet krenarë për dëshirën e tij të madhe për të mësuar, punën e madhe dhe suksesin që ai ka arritur. Ne i urojmë një jetë të gjatë dhe të shëndetshme”, tha Albayrak, duke shtuar se Macit është shembulli më i mirë për të rinjtë se nuk është kurrë vonë për të stidiuar.