Gjykata turke ka caktuar dënim të përjetshëm për 21 të pandehur dhe ka liruar nga akuzat 68 të tjerë në procesin gjyqësor në lidhje me të ashtuquajturin “puçi postmodern” i 28 shkurtit të vitit 1997, raporton Anadolu Agency (AA).
Mes 21 të dënuarve me burgim të përjetshëm gjenden ish-shefi i Shtatmadhorisë Hakkı Karadayı, ish-zëvendës shefi i Shtatmadhorisë Çevik Bir dhe gjenerali i lartë Çetin Doğan.
Ndërkaq, në procesin gjyqësor që u zhvillua në një gjykatë të krimeve të rënda në Ankara, 68 të pandehur u liruan nga akuzat.
Procesi gjyqësor kishte filluar në shtator të vitit 2013.
Ndryshe, në shkurt të vitit 1997, një memorandum i diskutueshëm i miratuar nga ushtria turke rezultoi me ndërhyrjen e ushtrisë në pushtetin ekzekutiv dhe në përmbysjen e qeverisë së udhëhequr nga kryeministri i atëhershëm Necmettin Erbakan.
Qeveria e Erbakanit u detyrua të largohej pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Partia e tij Refah më vonë u shpall e jashtëligjshme. Një qeveri e re civile më pas mori përsipër pushtetin nga Erbakani, proces që u bë i njohur si “puçi postmodern”.