Turqi, 10 persona humbin jetën nga zjarri në një hotel

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën, ndërsa 32 të tjerë janë plagosur si pasojë e zjarrit që shpërtheu në një hotel në qendrën e skive Kartalkaya, njoftoi Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e tij në rrjetet sociale, ministri Yerlikaya tha se në orën 03:27 të ditës së sotme është marrë njoftim për zjarr në një hotel në qendrën për ski Kartalkaya.

Ai ka theksuar se ndaj zjarrit u ndërhy me 267 persona nga personeli i institucioneve dhe organizatave të ndryshme publike.

“Fatkeqësisht numri i humbjeve të jetëve është rritur në 10 dhe numri i të lënduarve në 32. Uroj mëshirën e Zotit për qytetarët tanë që humbën jetën dhe shërim të shpejtë për të lënduarit tanë”, tha Yerlikaya.