Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Turkmenistan Airlines ndal fluturimet drejt Moskës deri në fund të janarit

Turkmenistan Airlines ndal fluturimet drejt Moskës deri në fund të janarit

Turkmenistan Airlines vendosi që nga sot e deri në fund të janarit t’i anulojë fluturimet midis kryeqytetit turkmen Ashgabat dhe Moskës.

Linja ajrore shtetërore që nga e shtuna njoftoi se nuk do të ketë fluturime midis dy kryeqyteteve nga 30 dhjetori deri më 31 janar.

“Të dashur pasagjerë! Ju informojmë se ‘Turkmenistan Airlines’ njofton se fluturimet e rregullta në linjën Ashgabat-Moskë-Ashgabat në periudhën prej datës 30.12.24 deri më 31.01.25 janë anuluar”, thuhej në deklaratë.

Në deklaratë nuk zbulohen arsyet pas vendimit, por thuhet se rimbursimet do të jenë të disponueshme.

Ky veprim vjen pasi shumë linja ajrore kanë pezulluar fluturimet e tyre drejt destinacioneve në Rusi që nga rrëzimi i avionit të “Azerbaijan Airlines” (AZAL) të javës së kaluar në Kazakistan.

Avioni i “Azerbaijan Airlines”, i cili udhëtonte nga Baku në Grozny në Republikën Çeçene të Rusisë, u rrëzua 3 kilometra nga Aktau, Kazakistan, në bregun e Detit Kaspik.

Autoritetet e Kazakistanit thanë se 38 persona u vranë në rrëzimin e avionit Embraer 190, i cili kishte 67 persona në bord, ndërsa 29 mbijetuan. Hetimet për ngjarjen janë duke vazhduar.

Në deklaratat fillestare u tha se bëhej fjalë për përplasje me tufë të zogjve, megjithëse pamjet nga vendi zbuluan vrima të mëdha në pjesën e bishtit të avionit, duke çuar në spekulime për një sulm të mundshëm.

Zyrtarë të lartë të Azerbajxhanit konfirmuan raportet që sugjeronin se rrëzimi i avionit ishte shkaktuar nga një sistem raketor rus.

Të shtunën, presidenti rus Vlladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij nga Azerbajxhani, Ilham Aliyev, duke kërkuar falje për incidentin dhe i shprehu ngushëllimet e tij.

Exit mobile version