Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar deklaroi sot se Suedia dhe Finlanda kanë ofruar mbështetje politike, financiare dhe ushtarake për grupet terroriste në një lëvizje që kërcënonte jo vetëm Türkiye-n (Turqinë) por edhe NATO-n, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur me gazetarët pas takimit dy-ditorë të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, ministri Akar trajtoi çështje të nxehta, duke përfshirë shqetësimet turke për anëtarësimin e mundshëm të Suedisë dhe Finlandës në aleancën ushtarake.
Akar tha se kufizimet e armëve të vendosura ndaj Türkiye-s dëmtuan gjithashtu NATO-n dhe nuk përputhen me frymën e Aleancës.
Ai vuri në dukje se vendi i tij sekuestroi një sërë armësh antitank AT-4 të prodhimit suedez gjatë operacioneve anti-terroriste në veri të Sirisë dhe Irakut dhe kjo dëshmi u nda me zyrtarët në takimin e NATO-s.
“Nga njëra anë, ata thonë ‘të bëhemi më të fortë dhe të bashkohemi kundër çdo lloj kërcënimi kundër NATO-s’, por nga ana tjetër, vendosën embargo armësh kundër Türkiye-s. Madje, ofrohet mbështetje e pakufizuar për grupet terroriste”, tha ai.
Duke theksuar se Türkiye ishte i vetmi vend i NATO-s që luftonte terrorizmin në shumë fronte, Akar tha se vendi i tij ishte kufiri i fundit që parandalon përhapjen e terrorizmit në Evropë.
Suedia dhe Finlanda janë nën presionin e Ankarasë për t’i dhënë fund mbështetjes së tyre për grupin terrorist PKK/YPG nëse duan të anëtarësohen në NATO, ku Türkiye thotë se blloku është një aleancë sigurie dhe se çdo anëtar i mundshëm duhet të marrë një qëndrim të qartë kundër terrorizmit.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e grupit terrorist PKK. /aa