Turbullohet uji në Liqenin e Badocit, reduktime në Prishtinë, Fushë Kosovë e Obiliq

KRU “Prishtina” ka njoftuar se nga sonte do të reduktojnë prodhimin e ujit në fabrikën e Badocit, për shkak të nivelit t lartë të turbullirës në Liqenin e Badocit, të krijuar pas reshjeve të fundit.

Për këtë arsye një pjesë e Prishtinës, si dhe Fushë Kosova e Obiliqi sonte nga ora 19:30 do të mbesin pa ujë të pijshëm.

Ky është njoftimi i KRU “Prishtina”:

Të nderuar konsumatorë, ju të cilët furnizoheni me ujë të pijshëm nga fabrika e trajtimit të ujit Badoc, se duke filluar sonte nga ora 19:30 jemi të detyruar të zvogëlojmë dukshëm prodhimin/ trajtimin e ujit në këtë fabrikë.

Arsyeja e reduktimit të prodhimit të ujit në këtë fabrikë , është niveli i lartë i turbullirës që u shfaq tash, pas reshjeve atmosferike që mbushën këtë liqe mbi 3 metra me ujë.

Nga ky reduktim prodhimi ( nga ora 19:30, sonte) do të afektohen këto zona: Graçanica, Hajvalia, Veterniku, Matiqani, Bregu i Diellit, pastaj  pikat e tjera të kryeqytetit si: Tophanja, Dardania, Ulpiana dhe qendra e qytetit, pastaj qyteti i  Fushë Kosovës dhe Obiliqi, pothuajse te gjitha zonat mbesin pa ujë sonte prej ores 21:00.

Niveli i lartë i turbullirës e bënë të pamundur trajtimin e ujit për pije konform standardeve dhe teknologjisë që posedojmë.