Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Tunizi, mbahet protestë në solidarizim me Libanin dhe Palestinën

Tunizi, mbahet protestë në solidarizim me Libanin dhe Palestinën

Flamuri izraelit u dogj në një protestë që u mbajt në Tunizi në shenjë solidariteti me popullin libanez dhe palestinez të cilët përballen me sulmet e Izraelit, raporton Anadolu.

Me thirrjen e Koordinimit të Veprimit të Përbashkët për Palestinën, në rrugën “Habib Bourguiba” në qendër të kryeqytetit Tunis u mbajt protestë.

Në aktivitetin e mbështetur nga organizatat joqeveritare (OJQ) me bazë në Tunizi, demonstruesit mbajtën pankarta me mbishkrimet si “Poshtë Sionizmi”, “Zgjidhja e vetme është rezistenca”, “Turpi i njerëzimit prej miliardash” si dhe flamuj palestinezë dhe libanezë.

Në demonstratë për të protestuar kundër sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës dhe Liban, u dogj flamuri izraelit.

Anëtari i Rrjetit Tunizian për Luftën me Normalizimin (me Izraelin), Selahaddin al-Masri në një deklaratë për AA tha se slogani i tyre është “Nuk do ta lëmë Palestinën vetëm”.

Ai tha se po bëjnë përpjekje për të siguruar që komuniteti ndërkombëtar dhe populli arab të jenë vigjilent dhe vazhdimisht nëpër sheshe kundër sulmeve izraelite. “Përpjekjet për të normalizuar krimet dhe gjenocidin e kryer nga Amerika, Izraeli dhe aleatët e saj nuk do të kenë sukses. Ne do të vazhdojmë të mbështesim qëndrimin e vendosur të popullit palestinez dhe libanez”, tha Al-Masri.

Në Tunizi janë mbajtur qindra demonstrata në mbështetje të Palestinës, pas sulmeve që Izraeli nisi në tetor të vitit të kalur.

Exit mobile version