Nga Dr. Artur Xhumari
Cilët pacientë trajtohen në Shërbimin e Neurokirurgjisë, çfarë problemesh dhe diagnozash kanë? Cila është mosha e tyre?
Në Shërbimin e Neurokirurgjisë, trajtohen të sëmurët me tumore në kokë apo shtyllën kurrizore. Trajtohen të porsalindur, fëmijë, po ashtu edhe të rriturit.
Një bebe gjashtë muajshe me tumor në kokë, ka qenë fëmija më i vogël që është operuar nga ekipi i neurokirurgëve, neuroanestezistëve, neuroreanimatorëve, personelit infermieror në Shërbimin e Neurokirurgjisë.
Ky trajtim mund të jetë kirurgjikal, radiokirurgjikal, radioterapeutik apo kimioterapeutik.
Jo rrallë mund të jetë e nevojshme një kombinim i modaliteteve të ndyshme, që realizohet në bashkëpunim me kolegët e shërbimeve të tjera të QSUT-së, si: Neuropediatria, Neuroimazheria, Kirurgjia Infantile, Reanimacioni Pediatrik, Onkohematologjia.
- Cilat janë problemet më të shpeshta onkologjike në fëmijëri?
Tumoret e trurit ndër fëmijë janë të shpeshta. Mund të jenë beninje, si kraniofaringioma, glioma e rrugëve të pamjes, apo malinje si meduloblastoma apo ependimoma.
- Si është prognoza e këtyre sëmundjeve tek fëmijët?
Prognoza varet nga natyra e tumorit, malinje apo beninje, si dhe nga cilësia e heqjes së tyre. Ka fëmijë që falë trajtimeve multimodale luftën për jetën e fitojnë, ashtu si ka të tjerë që e humbasin atë.
- Çfarë ka ndryshuar në trajtimin e këtyre sëmundjeve në raport me 20 apo 30 vite më parë?
Teknikat kirurgjikale, mjetet në sallën e operacionit, teknikat e anestezisë janë përmirësuar, duke i bërë operacionet më të sigurta. Gjithashtu, modalitetet koplementare (radioterapi/kimioterapi) kanë avancuar.
Së fundmi, tek ne është shtuar edhe akseleratori linear i cili siguron kryrjen e radioterapisë në standardet evropiane.
- Cilat janë disa nga shqetësimet dhe pyetjet më të shpeshta të prindërve të fëmijëve që diagnostikohen me kancer?
Pse u sëmur fëmija? A është e lindur kjo sëmundje? A ka shërim? A është ngjitëse? Çfarë propozoni të bëjmë?
- Si vijon ndjekja e këtyre pacientëve?
Zakonisht janë rezonanca të përvitshme, të cilat pas 5 viteve i rrallojmë. Dhe sigurisht, ne vazhdojmë t’i ndjekim edhe në moshën adulte./Mesazhi/