Presidenti amerikan Donald Trump informoi investitorët që vijnë në vend se politikat e tij nuk do të ndryshojnë kurrë, transmeton Anadolu.
Nga llogaria e tij në platformën “Truth Social”, Trump iu drejtua investitorëve që vijnë në SHBA dhe investojnë shuma të mëdha parash.
“Politikat e mia nuk do të ndryshojnë kurrë. Është një kohë e shkëlqyer për të qenë i pasur, më i pasur se kurrë”, tha ai.
Trump pohoi se tarifat që ai shpalli do të rrisnin investimet dhe prodhimin në vend. Ndërkaq, dje, ai deklaroi se “triliona dollarë investime” do të vijnë në vend nga kompanitë që duan të prodhojnë në SHBA për të shmangur tarifat.
Duke vënë në dukje se shumë objekte prodhimi janë ndërtuar tashmë në SHBA dhe se tani do të ketë shumë punë ndërtimore, Trump tha se tarifat do ta “bëjnë SHBA-në shumë të pasur”.