Trump thotë se ka fituar, nuk ofron fakte për të mbështetur pretendimet për mashtrime

Presidenti amerikan, Donald Trump ka pretenduar se ka fituar zgjedhjet e 3 nëntorit, duke thënë se ka fituar 71,000,000 vota në mënyrë të ligjshme. Ai i ka bërë këto komente, pasi mediat amerikane kanë parashikuar se kandidati demokrat, Joe Biden ka fituar zgjedhjet andaj do të jetë presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.

Pasi është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka thënë se gjëra të këqija kanë ndodhur gjatë procesit zgjedhor dhe se vëzhguesit republikanë nuk kanë pasur qasje. “Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Miliona vota përmes postës u janë dërguar njerëzit të cilët nuk i kanë kërkuar kurrë në rend të parë”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Sikur edhe disa ditë më parë presidenti Trump nuk ka ofruar fakte për të mbështetur pretendimet e tij për manipulime apo mashtrime tjera zgjedhore. Rrjeti social, Twitter e ka shënjuar këtë postim të Trumpit duke thënë se pretedimi i tij është i diskutueshëm. Mediat amerikane kanë thënë se Biden ka fituar në shtetin e Pensilvanisë, duke tejkaluar shifrën e 270 votave të Kolegjit Elektoral, që nevojiten për ta bërë atë presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.

Biden ka reaguar shpejt pas lajmit për fitore. “Amerikë, jam i nderuar që më ke zgjedhur për të udhëhequr shtetin tonë fantastik. Puna përpara nesh do të jetë e vështirë, mirëpo ta premtoj këtë: Unë do të jem president i të gjithë amerikanëve – pavarësisht nëse më keni votuar apo jo. Do ta ruaj besimin që më keni dhënë”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Fitorja e Bidenit, 77-vjeçar ka ardhur pas më shumë se tri ditëve të paqartësive, teksa zyrtarët zgjedhorë kanë numëruar votat përmes postës. Trump është presidenti i parë aktual që humb në procesin e rizgjedhjes, prej kohës së republikanit George H.W. Bush më 1992./REL