Trump: Do të pajtohem me çdo marrëveshje mes Izraelit dhe Palestinës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dje pas takimit me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë tha se do të pajtohet me çdo marrëveshje të cilën do të arrijnë Izraeli dhe Palestina, raporton Anadolu Agency (AA).

“Do të pajtohem me të gjitha marrëveshjet në mes të dy palëve. Janë të mundura cila do qoftë prej dy zgjidhjeve (zgjidhje me dy shtete ose një shtet). Mendoj se zgjidhja me dy shtete do të jetë më e mirë, por nëse Izraeli dhe Palestina do të jenë të lumtur, unë do të pranoj përcaktimin e tyre”, tha Trump në konferencë shtypi.

Ai theksoi se është i gatshëm edhe për opsione alternative, sa i përket zgjidhjes me dy shtete, për të vendosur paqen në Lindjen e Mesme, duke shtuar se autoritetet amerikane po punojnë me kujdes për arritjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Sipas tij Izraeli dhe Palestina duhet të bëjnë lëshime të caktuara që në fund të arrihet një zgjidhje. “Prioriteti është që të Izraeli dhe Palestina të bien dakord në mes tyre”, ka thënë Trump.

Ai theksoi megjithatë se kryeministri i Izraelit duhet “pak të ndalojë ndërtimin e vendbanimeve të reja”, duke shprehur besimin se do të arrijë të negocioj me Netanyahu për vendbanimet e reja.

Të dy zyrtarët kanë folur edhe në lidhje me çështjet e sigurisë dhe të programit bërthamor të Iranit. “Nuk do të lejojë që Irani të posedojë armë bërthamore”, tha haptazi president i SHBA-së.

Trump lidhur me zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Aviv në Jerusalem theksoi se dëshiron që kjo të ndodhë. “Unë e dua këtë, por do të shohim se kur do të ndodhë”, ka thënë Trump.

Netanyahu theksoi se vendbanimet e reja nuk janë pengesa më e madhe për paqen në mes të izraelitëve dhe palestinezëve. “Mendoj se gjatë bisedimeve do të arrimë dakordim në lidhje me këtë çështje. Por, vendbanimet e reja nuk janë pengesa më e madhe për paqen”, theksoi kryeministri izraelit.

Netanyahu theksoi se pala palestineze duhet të njoh shtetin e Izraelit, për tu arritur një zgjidhje me dy shtete, duke shtuar se do të jetë e vështirë që të arrihet paqe në Lindjen e Mesme, nëse kjo nuk ndodh.

Ai theksoi se marrëdhëniet midis Izraelit dhe SHBA-së gjatë mandatit të Trump do të jenë edhe më të forta. “Aleati më i madh i SHBA-së është Izraeli”, tha kryeministri i Izraelit.