Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur simpati për kundërshtimin e Rusisë ndaj anëtarësimit të Ukrainës në NATO, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në rezidencën e tij në Mar-a-Lago në Florida, Trump kritikoi presidentin amerikan në largim, Joe Biden, për gjoja ndryshimin e qëndrimit të SHBA-së për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
“Një pjesë e madhe e problemit ishte se Rusia, shumë shumë vite, shumë kohë para Putinit, tha se ‘asnjëherë nuk mund të përfshihet NATO-ja me Ukrainën’. Tani, ata kanë thënë se kjo është shkruar në gur. Dhe, diku përgjatë vijës, Biden thotë ‘jo, ata duhet të jenë në gjendje të bashkohen në NATO’. Epo, atëherë Rusia ka dikë në pragun e saj dhe unë mund t’i kuptoj ndjenjat e tyre për këtë”, tha Trump.
Rusia ka përmendur zgjerimin e NATO-s drejt kufijve të saj si një arsye kryesore për fillimin e “operacionit special ushtarak” të saj në Ukrainë më 24 shkurt të vitit 2022.
Në shtator të vitit 2022, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, njoftoi aplikimin e papritur për anëtarësim të shpejtë në aleancën ushtarake.
Anëtarët e NATO-s kanë mbështetur anëtarësimin eventual të Ukrainës, por vendit nuk i është bërë ftesë deri më tani.
Trump, i cili ka vënë në dyshim ndihmën e SHBA-së për Ukrainën, gjatë fushatës elektorale tha se ai mund ta zgjidhë shpejt luftën në Ukrainë.
I pyetur nëse ai mund ta zgjidhë luftën brenda gjashtë muajve, Trump u përgjigj: “Shpresoj të kem gjashtë muaj. Jo, do të mendoja, shpresoj shumë para gjashtë muajve”.
“Rusia po humbet shumë të rinj, po ashtu edhe Ukraina. Dhe, ajo nuk duhej të kishte filluar kurrë”, shtoi Trump.
Ai shprehu gjithashtu zhgënjim që nuk mund të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, para se të marrë detyrën më 20 janar, duke e quajtur një takim të tillë të papërshtatshëm, pa elaboruar më tej.
“E di që Putini do të donte të takohemi. Unë nuk mendoj se është e udhës që të takohem deri pas datës 20, gjë që e urrej, sepse e dini çdo ditë vriten shumë e shumë të rinj”, tha Trump.