Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi këtë të enjte vendimin e tij për t’i tërhequr Shtetet e Bashkuara nga akordi i Parisit për ndryshimet klimatike, një hap i madh ky që përmbush një nga premtimet e fushatës së tij presidenciale, por ndërkohë dëmton seriozisht përpjekjet globale për të frenuar ngrohjen globale.
Vendimi kundërshton kështu përpjekjet mbarëbotërore për të ushtruar presion ndaj Trump që të qëndronte pjesë e marrëveshjes, e cila është nënshkruar nga 195 vende të botës. Udhëheqës të huaj, drejtues ekzekutivë biznesesh, e madje edhe vajza e Trump lobuan me forcë që ai t’i qëndronte marrëveshjes së Parisit, por duket se të gjithë kanë humbur përballë konservatorëve, që pretendojnë se plani është tejet i keq për Shtetet e Bashkuara.
“Për të përmbushur detyrën time solemne për mbrojtjen e Amerikës dhe qytetarëve të saj, Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga akordi i Parisit për ndryshimet klimatike, për të nisur negociatat për të rihyrë në marrëveshjen e Parisit, ose në një marrëveshje tërësisht të re me kushte më të drejta për Shtetet e Bashkuara”, tha Trump nga “Rose Garden” i Shtëpisë së Bardhë. “Ne po tërhiqemi”.
Megjithatë, për të aktivizuar procedurat zyrtare të tërheqjes, Trump do të ndezë një proces të gjatë që nuk do të mund të përfundojë përpara nëntorit të vitit 2020, muajin kur ai pritet të rikandidojë për president, duke siguruar kështu se çështja do të bëhet një temë e rëndësishme debati në garën e ardhshme presidenciale.
E teksa lajmi për tërheqjen e SHBA-ve nga marrëveshja e Parisit doli në media qysh ditën e mërkurë, udhëheqës biznesi dhe krerë shtetesh të huaja nisën ta quanin vendimin si një braktisje e mjerueshme e lidershipit amerikan. Elon Musk, shefi ekzekutiv i “Tesla”-s tha se do të jepte dorëheqjen nga Këshilli i Bizneseve të Shtëpisë së Bardhë, nëse Trump do të vijonte me këtë vendim. Edhe shefi ekzekutiv i “Apple”, Tim Cook i bëri thirrje Trump që ta rikonsideronte atë.