Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) do të rishqyrtojnë planin për pezullimin e ndihmës ushtarake Egjiptit, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidentët e SHBA-ve dhe Egjiptit, Trump dhe Abdel Fattah al-Sisi u takuan në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, pas së cilës ata theksuan se marrëdhëniet dypalëshe midis Washingtonit dhe Kajros janë në një nivel të lakmueshëm.
Mediat e Egjiptit nga ana e tyre thonë se Trump ka konfirmuar se SHBA-të do të rishikojnë planin e tyre për pezullimin e ndihmës ushtarake Egjiptit.
Duke u bazuar në burime të paemëruara në Shtëpinë e Bardhë, agjencia e lajmeve Reuters një muaj më parë lajmëroi se Shtëpia e Bardhë ka sjellë një vendim për mos ti paguar Egjiptit 95.7 milionë dollarë, ndërsa të vonojë edhe pagesën e dytë prej 195 milionë dollarë.
Bëhet fjalë për një ndihmë për Egjiptin, për të cilën SHBA-të ishin zotuar me marrëveshjen e paqes në Kamp David, e cila i dha fund luftës midis Izraelit dhe Egjiptit në vitin 1979.
Sipas marrëveshjes SHBA siguron gjithsej 1.5 miliard dollarë në vit për Egjiptin, nga të cilat 1.3 miliardë janë ndihma ushtarake.