Trump propozon shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit

Presidenti amerikan Donald Trump bëri thirrje për shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, duke pretenduar se këto zgjedhje do të ishin “më të pasaktat” me mënyrën se si është propozuar të votohet, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Me votimin univerzal me postë elektronike (jo votimi në mungesë, gjë që është i mirë), zgjedhjet e vitit 2020 do të jenë zgjedhjet më të pasakta dhe më hileqare në histori. Do të jenë një turp i madh për SHBA-në. Të shtyhen zgjedhjet derisa njerëzit të munden të votojnë siç duhet dhe në mënyrë të sigurt”, shkroi Trump në Twitter.

Trump tha se sistemi i “votimit përmes postës”, i cili lejon të gjithë të votojnë nga distanca, ka shkaktuar komplikime të mëdha në zgjedhjet paraprake.

Reagimi i presidentit amerikan erdhi pasi Demokratët kanë propozuar metodën e votimit për shkak të pandemisë së koronavirusit (COVID-19).