Trump po e ndërton “NATO-n arabe”

Kur Presidenti amerikan Donald Trump të mbërrijë në Riad këtë javë, ai do të paraqesë vizionin e tij për një “arkitekturë të re” të sigurisë rajonale. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e quajnë një “NATO arabe”, lëvizjen  për të udhëhequr luftën kundër terrorizmit dhe për të shtyrë mbrapsht “kërcënimin” e Iranit. Si për gurthemel të planit, Trump do të njoftojë gjithashtu një nga marrëveshjet më të mëdha të shitjes së armëve në histori.

Ka kohë që prapa skenave, administrata Trump dhe Arabia Saudite kanë zhvilluar negociata të gjera, të udhëhequr nga këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner dhe zëvendëskryetari i Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman. Diskutimet filluan pak pas zgjedhjeve presidenciale, kur Muhammed, i njohur në Uashington si “MBS”, dërgoi një delegacion për t’u takuar me Kushner dhe zyrtarë të tjerë të Trump në kullën e presidentit, Trump Tower.

Pasi që për më shumë se 8 vitesh ka qenë e zhgënjyer me tregtinë e administratës Obama, udhëheqja saudite ishte e etur për të bërë biznes.

Sauditët propozuan një zhvillim të mëtejmë të marrëdhënieve SHBA-Saudi dhe propozuan projekte të ndryshme për të rritur bashkëpunimin në fushën e sigurisë, ekonomisë dhe investimet.

Ndërkohë Washinton Post ka mësuar se ekipi i Trump u dha Sauditëve një listë të prioriteteve të Trump, duke i bërë thirrje mbretërisë të rritë veprimet për të luftuar ekstremizmin dhe për të intensifikuar luftën kundër organizatës terroriste ISIS.

Në javët e fundit, administrata Trump ka ngarkuar agjenci të ndryshme qeveritare për të zhvilluar një seri njoftimesh që Trump do ta bëjë këtë fundjavë.  Një nga objektivat kryesore është krijimi i një kuadri bazë për një koalicion të unifikuar sunit të vendeve, të cilat do të vendosnin në skenë një strukturë organizative më formale të NATO-s.

“Ne të gjithë kemi të njëjtin armik dhe ne të gjithë duam të njëjtën gjë”, tha ditë më parë Sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson.
Ideja e një “NATO arabe” është bllokuar për vite me rradhë – edhe pse gjithmonë ka pasur mbështetje të fuqishme saudite – por deri më tani nuk u miratua kurrë hapur nga qeveria e SHBA. Zyrtarët thanë se koncepti i përshtatet tre parimeve kryesore të politikës së jashtme “America First” duke pretenduar më shumë udhëheqje amerikane në rajon, duke zhvendosur barrën financiare të sigurisë tek aleatët.

Presidenti po kërkon një përgjigje për pyetjen se si Shtetet e Bashkuara mund të dorëzojnë përfundimisht përgjegjësinë e sigurisë në rajon në vendet që janë atje, thanë zyrtarët.

Raportet nga rajoni për diskutimet e hershme të projektit thanë se përveç Arabisë Saudite, pjesëmarrësit fillestarë në koalicion do të përfshijnë Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin dhe Jordanin, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol organizues dhe mbështetës duke qëndruar jashtë aleancës. /MESAZHI/