Shfuqizimi i veprimeve ekzekutive të paraardhesit të tij Barak Obama, do të jetë gjëja e parë që do të bëjë presidenti i zgjedhur Donald Trump pas marrjes së detyrës.
Këtë e tha zëdhënësi i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer gjatë një interviste për programin “This Week” në televizionin Abc.
“Trump do të shfuqizojë menjëherë shumë rregullore e veprime të ndërmarra nga administrata Obama në 8 vitet e fundit, e që kanë penguar rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, ka thënë Spicer.
Kjo sipas tij do të jetë një prej 2 lëvizjeve të para që do të bëjë miliarderi pas marrjes së mandatit në 20 janar, e megjithatë ai nuk e specifikoi se cilat janë veprimet ekzekutive që do të shfuqizohen.
Gjithsesi dihet se politikat e Obamës më të kritikuara nga Trump, janë ato mbi emigracionin, energjinë dhe politikën e jashtme dhe ai mund të kërkojë mënyra për t’i zhbërë ato.
Spicer shtoi gjithashtu se masat që Shtëpia e Bardhë mori ndaj Rusisë duke urdhëruar dëbimin e 35 spiunëve të dyshuar ruse mund të jenë të tepruara, dhe se Trump do t’i kërkojë llogari shërbimeve sekrete lidhur me çështjen…Ndërkohe një eksponente e larte e Partisë Republikane deklaroi në një intervistë se i trembej të ardhmes për nipërit e mbesat e saj, me Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë.
Christine Todd Whitman, shefja e agjencise amerikane të mbrojtjes së ambjentit në administraten e Xhorxh Bush e akuzoi republikanin për shpërfilljen e paralajmërimeve të shkencës dhe tha se premtimi i tij për të anulluar politikat e mbrojtjes klimaterike e ekspozojnë botën ndaj një rreziku të madh. Sipas mbështetësve te Trumpit rregullat për klimën dhe energjinë po i mbysin bizneset. /TCH/