Nuk vonoi shumë përgjigja e presidentit Donald Trump lidhur me kërcënimin koreano-verior për një sulm në territorin amerikan të Guamit. Përmes Twitter-it, presidenti deklaroi se ushtria e vendit është gati në rast se Korea e Veriut vepron. Presidenti hap kështu një faqe të re në retorikën e acaruar mes Uashingtonit dhe Penianit, që kanë shkëmbyer kërcënime të vazhdueshme gjatë këtyre ditëve të fundit.
Presidenti Donald Trump është shprehur se ushtria amerikane është gati të merret me Korenë e Veriut. “Zgjidhjet ushtarake janë tashmë në vend, të përgatitura, nëse Korea e Veriut vepron në mënyrë jo të zgjuar. Shpresoj që Kim Jong-un të gjejë një tjetër mënyrë!” shkroi presidenti në Twitter, duke përdorur kështu politikën e lojës me zjarrin. Kjo ishte kundërpërgjigja më e fundit e presidentit ndaj akuzave të Penianit se ai po e çon gadishullin korean në prag të një lufte bërthamore.
Uashingtoni dhe Peniani kanë qenë në një luftë provokimesh të ndërsjellta gjatë ditëve të fundit. Presidenti Trump deklaroi më herët gjatë javës se Korea e Veriut do të sulmohej me zjarr dhe furi në rast se do të kërcënonte Shtetet e Bashkuara, fjalim që nxiti Penianin të lajmëronte planin për një sulm bërthamor mbi territorin amerikan të Guamit. Agjensia e sigurisë së ishullit ka shpërndarë një fletë-udhëzim me këshilla që banorët të përgatiten për një kërcënim bërthamor.
Ndërkohë, ky postim i fundit i presidentit Trump vjen disa orë pasi sekretari i mbrojtjes James Mattis u përpoq të zbuste tensionet duke e vënë theksin tek një zgjidhje paqësore për krizën. Shefi i Pentagonit tha se lufta do të ishte katastrofike dhe se diplomacia po jepte rezultate.