Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se Irani do të mbahet drejtpërdrejt përgjegjës për çdo sulm shtesë të kryer nga rebelët Houthi të Jemenit, ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten në Detin e Kuq, transmeton Anadolu.
Mes sulmeve të vazhdueshme mes ushtrisë amerikane dhe Houthive, Trump tha se Irani ka drejtuar “çdo lëvizje” të ndërmarrë nga grupi dhe i ka ofruar atij pajisje ushtarake, financim dhe inteligjencë.
“Askush të mos mashtrohet! Qindra sulmet e kryera nga Houthi, mafiozët dhe banditët e ligë me bazë në Jemen, të cilët janë të urryer nga populli jemenas, të gjitha burojnë dhe janë krijuar nga Irani. Çdo sulm apo hakmarrje e mëtejshme nga ‘Houthit’ do të përballet me forcë të madhe dhe nuk ka asnjë garanci që ajo forcë do të ndalet aty”, tha Trump në median e tij sociale.
“Çdo e shtënë nga Huthi do të shihet, që nga ky moment e tutje, si e shtënë nga armët dhe udhëheqja e Iranit, dhe Irani do të mbahet përgjegjës dhe do të vuajë pasojat, dhe ato pasoja do të jenë të tmerrshme”, shtoi ai.
Komentet e presidentit i bëjnë jehonë atyre të këshilltarit të tij për sigurinë kombëtare, i cili tha të dielën se Irani është përgjegjës për financimin dhe trajnimin e Houthive dhe ndihmën ndaj grupit jemenas në sulmet e tij kundër anijeve luftarake amerikane.
Të paktën 53 persona u vranë dhe 98 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore SHBA-Britani në Jemen të shtunën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Houthit.
Houthit paralajmëruan Izraelin më 7 mars që të lejojë ndihmën humanitare në Rripin e bllokuar të Gazës brenda katër ditëve ose të përballet me operacione të reja detare kundër anijeve që udhëtojn nga ose drejt Izraelit.
Houthit kanë sulmuar anijet në Detin e Kuq dhe dhe atë Arab, Ngushticën Bab al-Mandab dhe Gjirin e Adenit me raketa dhe dronë që nga fundi i vitit 2023, duke ndërprerë tregtinë globale për atë që thuhet se ishte shfaqje solidariteti me Gazën.
Grupi ndaloi sulmet kur një armëpushim në Gaza u shpall në janar midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas. Por ai kërcënoi të rifillonte sulmet kur Izraeli bllokoi gjithë ndihmën për Gazën më 2 mars.