Në një eveniment të organizuar në qytetin Cedar Rapids të shtetit Iowa, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, hodhi në dritë aspektin e përfshirjes së miliarderëve në kabinetin e tij, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke vënë në dukje se ai shpesh merr pyetje lidhur me atë se pse ia lë të pasurve menaxhimin e ekonomisë së vendit, Trump tha se “Sepse kjo është struktura e ideve që ne e duam.”
“Unë i dua të gjithë njerëzit pa dallim se është i varfër apo i pasur, por posaçërisht në disa pozita të menaxhmentit ekonomik unë nuk dua që t’i kemi të varfrit. A nuk është e logjikshme kjo? Nëse këmbëngulni unë mund ta ndryshoj këtë gjendje, por e pëlqej këtë mënyrë më shumë”, tha Trump.
Duke vënë në dukje se Gary Cohn ka lënë pozitën e presidentit të kompanisë Goldman Sachs për t’u bërë këshilltari kryesor i Ekonomisë së qeverisë së Donald Trumpit, dhe se ai ka hequr dorë prej një page shumë të madhe për t’i përfaqësuar amerikanët tha se “Ata hoqën dorë nga shumë gjëra për këto pozicione”.
Cohn, i cili e shoqëronte Trumpin në këtë eveniment, ishte ndarë nga kompania Goldman Sachs ku kishte punuar për 25 vite, duke marrë rreth 285 miliona dollarë.
Kabineti më i pasur në botë
Sipas të dhënave të gazetarit të AA-së, pasuria e përgjithshme e personave në kabinetin e Trumpit është më shumë se 15 miliardë dollarë. Shuma në fjalë i afrohet vlerës prej 20 miliardë kur shtohet edhe pasuria e Trumpit që mendohet se është rreth 4,5 miliardë dollarë.
Pjesëtari më i pasur i kabinetit të Trumpit është sekretari i Arsimit, Betsy DeVos, me pasuri prej 5,1 miliardë dollarësh. DeVosin, për emërimin e të cilit kishte reagime të shumta, ndiqet nga sekretari i Tregtisë, Wilbur Ross. Pas 25 vjet pune në kompaninë e njohur Rothschild, Ross kishte krijuar kompaninë e tij dhe mendohet se pasuria e tij është rreth 2,9 miliardë dollarë.
Linda McMahon e cila u emërua si shefja e Administratës së Bizneseve të Vogla zë vendin e tretë në mesin e personave më të pasur të kabinetit të Shtëpisë së Bardhë. Pasuria e McMahon, e cila më parë ishte CEO e kompanisë argëtuese të Mundjes Botërore, së bashku me atë të bashkëshortit të saj është rreth 1,16 miliardë dollarë.
Kurse sekretari amerikan i Shtetit dhe ish-CEO i Exxon Mobile, Rex Tillerson, zë vendin e katërt në listë me pasurinë e tij prej 300 milionë dollarësh. Drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar, Gary Cohn mendohet se ka një pasuri prej 500 milionë dollarësh, dhe se kandidati për sekretar në Ministrinë e Thesarit të SHBA-ve, ish-bashkëpronari i kompanisë Goldman Sachs, Steve Mnuchin parashihet se ka një pasuri rreth 50 milionë dollarësh.