Presidenti i zgjedhur i SHBA-së Donald Trump emëroi Karoline Leavitt të premten si sekretare të shtypit të Shtëpisë së Bardhë kur të marrë detyrën në janar, transmeton Anadolu.
Trump vlerësoi Leavittin për “punën fenomenale” si sekretare shtypi gjatë fushatës së tij presidenciale.
“Karoline është e zgjuar, e fortë dhe ka dëshmuar të jetë një komunikuese shumë efektive. Kam besimin më të madh se ajo do të shkëlqejë në podium dhe do të ndihmojë në përcjelljen e mesazhit tonë për popullin amerikan ndërsa ne bëjmë Amerikën të Madhe përsëri”, tha Trump në një deklaratë.
Leavitt ka punuar më parë në Shtëpinë e Bardhë si ndihmëssekretare shtypi gjatë mandatit të parë të Trumpit.
Trump njoftoi më herët se ka zgjedhur Steven Cheungun për të qenë drejtori i tij i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë.
Cheung, 42 vjeç, ka qenë një ndihmës kryesor mediatik për fushatën e Trumpit në dy vitet e fundit.
Trump ka zbuluar gradualisht kabinetin e tij dhe emërimet kryesore pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.