Trump ngjall polemika pas dorëheqjes së kryeministrit kanadez, sugjeron bashkimin e Kanadasë me SHBA-në

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, edhe një herë ka ngjallur polemika duke sugjeruar bashkimin e Kanadasë me SHBA-në disa orë pasi kryeministri kanadez Justin Trudeau njoftoi dorëheqjen e tij, transmeton Anadolu.

“Shumë njerëzve në Kanada u pëlqen të jenë shteti i 51-të. SHBA-ja nuk mund të vuajë më nga deficitet dhe subvencionet masive tregtare që Kanadasë i duhen për të qëndruar në këmbë. Justin Trudeau e dinte këtë dhe dha dorëheqjen,” tha Trump në median sociale Truth Social.

Më herët, Trudeau njoftoi dorëheqjen e tij mes pakënaqësisë në rritje brenda partisë së tij dhe vlerësimeve të ulëta të miratimit publik, duke ngritur shqetësime rreth aftësisë së tij për të fituar zgjedhjet e ardhshme kundër një opozite konservatore në rritje.

Trump argumentoi se një bashkim SHBA-Kanada do të eliminonte barrierat tregtare dhe do të reduktonte taksat për kanadezët.

“Nëse Kanadaja bashkohej me SHBA-në, nuk do të kishte tarifa, taksat do të uleshin shumë dhe ato do të ishin plotësisht të sigurta nga kërcënimi i anijeve ruse dhe kineze që i rrethojnë vazhdimisht”, tha Trump.

Më tej, presidenti i ardhshëm i SHBA-së përshkroi vizionin e tij për bashkimin e mundshëm duke theksuar se “çfarë kombi i madh do të ishte”.

Që nga fitorja e tij në zgjedhjet e muajit nëntor, Trump i është referuar Kanadasë si “shteti i 51-të”.

Më herët, Trump gjithashtu ka kërcënuar se do të vendosë një tarifë prej 25 për qind për importet kanadeze nëse Kanadaja nuk ndërmerr hapa për të reduktuar ndjeshëm drogën dhe emigrantët e paligjshëm që kalojnë në SHBA. Trump në mënyrë të ngjashme kërcënoi Meksikën me tarifa.