Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përkrah kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, theksoi sot se zgjidhja me dy shtete për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez nuk ishte e vetmja rrugë e mundur për paqen.
Shtëpia e Bardhë theksoi dje në mbrëmje se Uashingtoni nuk do të këmbëngulte më mbi këtë parim të referencës së komunitetit ndërkombëtar dhe se nuk do të diktonte më kushte për një marrëveshje të mundshme paqeje mes Izraelit dhe palestinezëve.
Në përgjigje, Netanyahu theksoi se presidenti i ri amerikan kishte ofruar një rast të pazakontë për të avancuar paqen, për të dalë nga konflikti më i vjetër i planetit.
Presidenti amerikan, Donald Trump përshëndeti lidhjet e forta mes SHBA-së dhe Izraelit, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, përcjell Atsh.
“Me këtë vizitë, SHBA-ja rikonfirmon edhe njëherë lidhjet e forta me aleatin tonë të çmueshëm, Izraelin”, deklaroi Trump.
“Partneriteti mes dy vendeve tona, ndërtuar në bazë të vlerave tona të përbashkëta do të çojë përpara kauzën e lirisë njerëzore, dinjitetit dhe paqes”, shtoi ai.
“Dy vendet tona do të vazhdojnë të rriten, Ne kemi histori të gjatë bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit dhe luftën kundër atyre që nuk bien dakord me vlerat njerëzore”, nënvizoi Trump.