Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi të martën një urdhër ekzekutiv që u kërkon njerëzve të paraqesin vërtetimin e shtetësisë kur regjistrohen për të votuar, transmton Anadolu.
“Komisioni i Asistencës Zgjedhore do të kërkojë prova dokumentare të lëshuara nga qeveria për shtetësinë amerikane në formularët e regjistrimit të votuesve”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
“Ky urdhër forcon verifikimin e nënshtetësisë së votuesve dhe ndalon shtetasit e huaj të ndërhyjnë në zgjedhjet amerikane”, shtohet në deklaratë.
Urdhri gjithashtu drejton agjencitë, duke përfshirë Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Administratën e Sigurimeve Shoqërore, që t’u ofrojnë shteteve akses në bazat federale të të dhënave për verifikimin e përshtatshmërisë së votuesve.
Ai kushtëzon gjithashtu fondet federale të lidhura me zgjedhjet për respektimin e masave të integritetit të shtetit, të tilla si përdorimi i një formulari kombëtar të regjistrimit të votuesve me postë që kërkon dëshmi të shtetësisë.
Urdhri gjithashtu paralajmëron se do të merren masa kundër shteteve që numërojnë fletëvotimet e marra pas ditës së zgjedhjeve në zgjedhjet federale. “Financimi i zgjedhjeve federale do të kushtëzohet nga pajtueshmëria”, thuhet më tej.
“Ne do t’i rregullojmë zgjedhjet tona në mënyrë që ato të jenë të ndershme dhe njerëzit ta dinë se vota e tyre është numëruar. Do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe në mënyrë ideale, të thjeshtë, do të shkojmë te fletëvotimi në letër, votim në të njëjtën ditë, me vërtetimin e shtetësisë dhe letërnjoftim votuesi”, ka thënë presidenti amerikan Donald Trump.