“Trump mund të mos e ketë lexuar tërë strategjinë e sigurisë kombëtare”

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump mund të mos e ketë lexuar tërë Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, të cilën e prezantoi në fillim të javës që përbëhet prej 55 faqesh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas prezantimit të Strategjisë të hënën, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Michael Anton në një deklaratë për kanalin CNN iu përgjigj pyetjes “nëse e ka lexuar apo jo Trump tërë strategjinë”.

“Nuk mund të them se presidenti e ka lexuar çdo fjalë dhe çdo rresht të dokumtentit por dokumenti ishte tek ai”, tha Anton.

Sipas tij, Trump ishte marrë personalisht me formimin e strategjisë 55 faqëshe dhe se është njoftuar me draftin përfundimtar. Anton tha se dokumenti bazohet në fjalët e Trumpit.

Në dokumentet ku Trump prezanton strategjinë e re të sigurisë kombëtare të SHBA-ve, thuhet se strategjitë e Rusisë dhe të Kinës bien ndesh me interesat e SHBA-ve.

Në dokumente përfshihen akuzat si “Aktorët si Rusia po i përdorin mjetet e informacionit me qëllim që të minojnë legjitimitetin e demokracisë” dhe “Rusia po përdor operacionet e informimit si një pjesë e përpjekjeve agresive kibernetike për të ndikuar në opinionin publik në të gjithë botën”, mirëpo Trump këto qëndrime nuk i ka përfshirë në fjalimin e tij kur e prezantoi strategjinë.