Pas më shumë se një mijë ditësh të luftës ruse kundër Ukrainës, presidenti i sapozgjedhur i ShBA-së, Donald Trump, tha se lufta në Ukrainë duhet të zgjidhet.
Trump vizitoi Parisin të shtunën për të marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre Dame, ku dha një intervistë ekskluzive për gazetën franceze “Paris Match”.
Presidenti i sapozgjedhur amerikan tha se me atë rast ka pasur një takim të mirë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ai vuri në dukje se ka shumë kriza në botë dhe se një e re ka lindur në Siri.
“Siria do të duhet të kujdeset për veten. Ne nuk jemi të përfshirë në Siri”, tha Trump.
“Unë mendoj se ne duhet të zgjidhim problemin e Ukrainës me Rusinë. Të dyja këto vende po humbasin shifra që askush nuk mund t’i besojë. Qindra mijëra ushtarë janë vrarë”, shtoi Trump.
Trump gjithashtu tha se Lindja e Mesme është gjithashtu një prioritet i madh për ShBA-në.
“Por, mendoj se Lindja e Mesme është një situatë më pak e vështirë se Ukraina me Rusinë“, tha Trump.
Përpara ceremonisë së rihapjes së Katedrales Notre Dame pas pesë vitesh, takimi i parë trepalësh u mbajt të shtunën në Pallatin Elysee në Paris, në të cilin morën pjesë presidenti francez Emmanuel Macron, Zelensky dhe Trump.
Takimi shënoi bisedën e parë ballë për ballë midis Zelensky dhe Trump që nga fitorja e tij në zgjedhje.