Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Trump kërkon nga Rusia t’i japë fund luftës në Ukrainë, paralajmëron sanksione...

Trump kërkon nga Rusia t’i japë fund luftës në Ukrainë, paralajmëron sanksione nëse marrëveshja nuk arrihet

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërkuar që Rusia “ta rregullojë tani” dhe t’i japë fund luftës në Ukrainë, duke paralajmëruar taksa të larta, tarifa dhe sanksione ndaj eksporteve ruse nëse një rezolutë nuk arrihet shpejt, transmeton Anadolu.

“Nuk jam duke kërkuar të lëndoj Rusinë. Unë e dua popullin rus dhe gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Putin dhe kjo pavarësisht nga mashtrimi i të Majtës Radikale të Rusisë, Rusisë. Nuk duhet të harrojmë kurrë se Rusia na ndihmoi të fitojmë Luftën e Dytë Botërore, duke humbur pothuajse 60 milionë jetë në këtë proces”, shkroi Trump në rrjetin social ‘Truth Social’.

Trump tha se me këtë ai do t’i bëjë një favor shumë të madh presidentit rus, Vladimir Putin dhe Rusisë, sipas të cilit ekonomia e së cilës po dështon.

“Rregullojeni tani dhe ndaloni këtë luftë qesharake. Vetëm se do të përkeqësohet. Nëse nuk e bëjmë një marrëveshje dhe së shpejti, unë nuk kam zgjidhje tjetër vetëm se të vendos nivele të larta taksash, tarifash dhe sanksionesh për çdo gjë që shet Rusia në SHBA dhe në vende të tjera pjesëmarrëse. Le t’i japim fund kësaj lufte, e cila nuk do të kishte filluar kurrë po të isha president. Ne mund ta bëjmë atë në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë dhe mënyra e lehtë është gjithmonë më e mirë. Është koha për të arritur një marrëveshje. Nuk duhet të humben më jetë”, tha presidenti amerikan.

Trump u pyet nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë nëse do të vendoste sanksione të mëtejshme ndaj Moskës nëse Putin refuzon të përfshihet në bisedimet e paqes.

“Duket e mundshme”, tha ai pa dhënë detaje.

Ai po ashtu kritikoi ish-presidentin Joe Biden, duke theksuar se Putin “nuk e respektoi” udhëheqjen e tij.

Lidhur me atë nëse ai do të vazhdojë të dërgojë armë në Ukrainë, Trump tha se administrata e tij “do ta shqyrtojë atë”.

“Ne po flasim me Zelenskyy-n. Ne shumë shpejt do të bisedojmë me presidentin Putin dhe do të shohim se çfarë dhe si do të ndodhë gjithçka”, tha ai.

“Një gjë që unë ndjej është se Bashkimi Evropian duhet të paguajë shumë më tepër sesa paguajnë”, shtoi ai.

Trump u zotua se do t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe tha se do të angazhohej në bisedime me presidentët Putin dhe Zelenskyy, megjithëse nuk ka dhënë një afat kohor apo specifika.

“Presidenti Zelenskyy do të donte të kishte paqe. Më ka thënë shumë fort. Por duhen dy për tango”, u tha ai gazetarëve.

I pyetur se kur do të takohej me presidentin rus, ai tha, “Sa herë që të duan, unë do të takohem”.

“Miliona njerëz po vriten. Është një situatë vicioze”, tha Trump, duke akuzuar SHBA-në për nën-raportim të numrit të të vdekurve.

“Vrasja e vërtetë tani është në frontin e luftës. Është një tokë shumë e rrafshët dhe e vetmja gjë që ndalon një plumb është trupi i dikujt dhe ju keni ushtarë të ri. Pra, Rusia ka humbur rreth 800 mijë ushtarë tani. Ukraina humbi rreth 600 mijë ose 700 mijë. Mendoj se shifrat janë më të ulëta se sa po jepen”, theksoi ai.

Exit mobile version