Trump kërcënon këtë gjigand mediatik me heqje të licencës

Vetëm pak pasi NBC News raportoi se Presidenti Trump kishte kërkuar rritje të kapaciteteve bërthamore, lideri i Uashingtonit ka paralajmëruar se mund të ndjekë rrugën ligjore për heqjen e licencës së televizionit prestigjoz amerikan.

‘Numri Një’ i Shtëpisë së Bardhë konsideron se lajmi është i rremë dhe se shpërndan informacion të gabuar. Paralajmërimi i Presidentit nuk është pritur mirë nga organizatat që mbrojnë gazetarët, të cilat thanë se Trump po shfaq tendenca autoritare.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shënuar një tjetër përplasje me mediat amerikane, ndërsa kësaj rradhe ka paralajmëruar gjigandin NBC News me heqje të licencës televizive.

Reagimi i liderit të Uashingtonit, erdhi menjëherë pasi kjo media raportoi se numri një i Shtëpisë së Bardhë kishte kërkuar rritje të arsenalit bërthamor.

Sipas NBC News, në një takim me zyrtarë të lartë të mbrojtjes, Presidenti kishte shfaqur ambicie për të zgjedhuar kapacitetet në këtë aspekt.

Kjo për shkak se Rusia aktualisht ka 7.300 mbushje bërthamore, ose thënë ndryshe, 200 rezerva më shumë se Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, Trump konsideron se ky është një lajm i rremë dhe se i jep hapësirë autoriteteve të ndjekin rrugën ligjore për të vënë në pikëpyetje licencën e kompanisë.

NBC News shkaktoi zemëratën e Presidentit edhe javën e shkuar, kur dha lajmin se Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, e kishte quajtur liderin amerikan budalla.

Deklaratat e Presidentit Trump nuk janë pritur mirë nga organizatat që mbrojnë të drejtat e gazetarëve dhe të medias.

Shumë prej tyre vlerësojnë se prononcime të tilla shfaqin qasje autoritare të pushtetit ndaj televizionit dhe rrjeteve të tjera të komunikimit.

Ndërkohë, ende nuk dihet nëse Trump do të ndjekë rrugën ligjore për të paditur rrjetin NBC News për informacione të rreme.