Trump: Ka ardhur koha ti jepet fund luftës në Siri


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në konferencën e përbashkët për media me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dënoi edhe njëherë masakrat e regjimit në Siri. “Ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës së brendshme brutale në Siri, për të mposhtur terroristët dhe për të siguruar kthimin e refugjatëve në shtëpitë e tyre”, tha Trump, raporton Anadolu Agency (AA).

Trump dhe Stoltenberg pas takimit kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media në Shtëpinë e Bardhë ku dhe u janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Në lidhje me luftën e brendshme në Siri Trump tha se “Ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës së brendshme brutale në Siri, për të mposhtur terroristët dhe për të siguruar kthimin e refugjtëve në shtëpitë e tyre”.

Duke vënë në dukje rëndësinë e punimeve së bashku me NATO-n për zgjidhjen e problemeve në Siri Trump tha: “I jemi mirënjohës vendeve anëtare të NATO-s dhe aleatëve për mbështetjen e dhënë në dënimin e masakrave që Asadi ka kryer duke përdorur armë të tmerrshme. Masakrimi me armë kimike në mënyrë të tmerrshme i civilëve të pafajshëm, madje duke pëfrshirë fëmijët dhe foshnjat dhe që kanë nevojë për ndihmë, duhet të refuzohet kategorikisht nga të gjithë popujt që e vlerësojnë jetën e njeriut”.

Kritika qeverisë së Moskës

Pasi ka shprehur kritika për qeverinë e Moskës për shkak të mbështetjes që i ofron regjimit të Asadit, presidenti Trump thotë se: “Aktualisht me Rusinë nuk biem aspak dakord. Sikur të dakordohemi do të ishte shumë mirë. Me shumë gjasa marrëdhëniet tona me Rusinë mund të jenë në nivelin më të ulët”.

Në pyetjen nëse kanë patur apo jo dijeni rusët për sulmin kimik në Idlib, Trump thekson se “Rusia punon ngushtë me regjimin e Sirisë dhe mundësia është e lartë që të ketë dijeni nga këto sulme”. Megjithatë duke mos përdorur shprehje të prera Trump duke iu referuar hetimeve në vazhdim tha se “Do të shikojmë rezultatet”.

“NATO nuk është e dalë nga përdorimi”

Trump deklaroi se “NATO nuk është organizatë që ka dalë nga përdorimi” në konferencën e përbashkët për media me Stoltenberg dhe u tërhoq nga ajo që kishte thënë më parë se “NATO është e dalë nga përdorimi”.

Presidenti amerikan ka bërë thirrje edhe njëherë në çështjen e pagesës së shumave që vendet anëtare kanë premtuar.

Më tej Trump njoftoi se së shpejti do të dërgojë në Afganistan këshilltarin e Sigurisë Kombëtare H.R. McMaster dhe do të kërkojë që të bisedojë me elementët aleatë të NATO-s atje mbi çështjet në luftën kundër terroristëve.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se SHBA-të kanë shumë aleatë të vlefshëm brenda NATO-s dhe se marrëdhëniet SHBA-NATO janë shumë me vlerë.