Presidenti amerikan Donald Trump tha se beson që “waterboarding”, praktika e marrjes në pyetje që cilësohet torturë, funksionon dhe se SHBA duhet të luftojë zjarrin me zjarr.
“Waterboarding” është praktika e derdhjes së ujit mbi fytyrën e dikujt të mbuluar me një leckë për të imituar mbytjen. Kjo përdoret si teknikë marrjesh në pyetje, konsiderohet torturë dhe është e ndaluar nga SHBA.
Në një intervistë për ABC News, Trump tha se do të konsultohet me sekretarin e mbrojtjes James Mattis dhe drejtorin e CIA-s Mike Pompeo për hapat që mund të ndërmerren ligjërisht për të luftuar radikalizimin. Presidenti Trump deklaroi se ndërsa grupet radikale i presin kokat njerëzve në Lindjen e Mesme, SHBA nuk po luan në kushte të barabarta. Sidoqoftë, më herët, ish-drejtori i CIA-s, Leon Paneta deklaroi se do të ishte një gabim i madh nëse SHBA kthehet pas dhe përdor torturën. Por, sipas Trump, qëllimi i tij i vetëm është të garantojë sigurinë e SHBA-së.
“Shteti Islamik i bën të krishterëve gjëra që nuk dëgjoheshin që prej Mesjetës. Kam folur me personat në nivelet më të larta të inteligjencës dhe kur i kam pyetur nëse “waterbording” apo torturat funksionojnë, më kanë thënë se po. Personalisht mendoj se waterboarding funksionon”, deklaroi Trump.
Gjatë fushatës elektorale, Presidenti i ri sugjeroi se mund të autorizonte përdorimin e “waterboarding” apo edhe masa më ekstreme mbi të dyshuarit për terrorrizëm. Por, më pas e zbuti qëndrimin e tij, duke thënë se kurrë nuk do të urdhëronte ushtrinë të shkelte ligjet ndërkombëtare.