Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Trump i kërkon Supremes të pauzojë ligjin për TikTok-un

Trump i kërkon Supremes të pauzojë ligjin për TikTok-un

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i ka bërë thirrje Gjykatës Supreme amerikane që të pauzojë zbatimin e ligjit që do të ndalonte aplikacionin e rrjeteve sociale, TikTok, apo do ta detyronte që të shitej, duke argumentuar se atij i duhet kohë pasi të marrë detyrën për të gjetur një “zgjidhje politike” për këtë çështje.

Gjykata do të dëgjojë argumentet për këtë rast më 10 janar.

Ligji në Shtetet e Bashkuara do të kërkojë nga pronari kinez i TikTok-ut, ByteDance, ta shesë platformën te një kompani amerikane apo të përballet me ndalesë. Në prill, Kongresi amerikan votoi për ndalimin nëse ByteDance nuk e shet aplikacionin deri më 19 janar.

TikTok, që ka mbi 170 milionë përdorues në SHBA, ka synuar që ta zhbëjë ligjin. Por, nëse Gjykata Supreme nuk vendos në favor të platformës apo nëse nuk ka procedurë të shitjes, aplikacioni do të ndalohet në SHBA më 19 janar, një ditë para se Trumpi të marrë detyrën e presidentit.

Mbështetja e Trumpit për TikTok-un paraqet ndryshim të qëndrimit, pasi ai më 2020 kishte tentuar ta bllokonte këtë aplikacion në SHBA dhe ta detyronte që t’i shitej kompanive amerikane për shkak të pronësisë kineze.

“Presidenti Trump nuk do të marrë asnjë qëndrim lidhur me meritat e kësaj mosmarrëveshjeje”, tha D. John Sauer, i zgjedhuri i Trumpit për avokatin e përgjithshëm të SHBA-së.

“Ai kërkon nga Gjykata që ta shtyjë afatin e 19 janarit dhe të vazhdojë ta shqyrtojë këtë çështje, duke i mundësuar administratës së re të Trumpit që të ketë mundësi të tentojë të gjejë një zgjidhje politike për këtë çështje”, shtoi ai.

Në dhjetor, Trump u takua me shefin ekzekutiv të TikTok-ut, Shou Zi Chew, disa orë pasi presidenti i zgjedhur tha se ai ishte në favor që kjo platformë të vazhdojë të operojë në SHBA, të paktën edhe për një kohë të shkurtër.

Kompania më herët ka argumentuar se Departamenti amerikan i Drejtësisë ka keqparaqitur lidhjet e saj me Kinën, duke thënë se makina për rekomandimin e përmbajtjes dhe të dhënat e përdoruesve ruhen në SHBA në serverët që operohen nga Oracle Corp, ndërkaq vendimet për përmbajtjen po ashtu merren në SHBA.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka argumentuar se kontrolli kinez mbi TikTok-un paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare, një qëndrim që është mbështetur nga shumica e ligjvënësve amerikanë. /rel

Exit mobile version