Trump “i bindet” Biden, del live: E dimë si ndiheni, por shkoni në shtëpi

Presidenti në detyrë Donald Trump u bëri apel protestuesve të shkojnë në shtëpi, menjëherë pasi Joe Biden doli në një konferencë dhe i bëri apel këtij të fundit për tu bërë thirrje protestuesve që të tërhiqen.

“Ishin zgjedhje të manipuluara, por duhet të kemi paqe. E dimë se si ndiheni, jua duam, por shkoni në shtëpi. Shkoni në shtëpi të qetë”, tha Trump në video mesazhin e tij.

 

Ndërkohë vetëm pak çaste më parë Biden tha në konferencë: “Ky është një kaos i cili duhet të përfundojë tani. Donald Trump dil tani live në televizionin kombëtar dhe jepi fund këtij kaosi. Jam i shokuar që kombi ynë që ka qenë fanar ndriçues për demokracinë ka përfunduar kështu. Kjo e sotmja është shfaqje e turpshme. Shohim një numër të vogël ekstremistësh, kjo është anarki, është kaos. I kërkoj kësaj turme që të tërhiqet. Fjalët e një presidenti kamë rëndësi, pavarësisht sa i mirë apo i keq është ai president”.

Mbështetësit e Trumpit marshuan drejt ndërtesës së Kongresit, ku u përballën me policinë, pasi presidenti iu drejtua atyre gjatë ditës.

“Ne kurrë nuk do të dorëzohemi”, u tha Trump turmave.

Pamjet televizive të disa transmetuesve amerikanë tregojnë protestues brenda dhe jashtë ndërtesës së Kongresit, si dhe arritjen e forcave shtesë të policisë.

Certifikimi i rezultatit zgjedhor – hapi i fundit zyrtar përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, më 20 janar – është normalisht një procedurë rutinore, por këtë vit u shndërrua në debat të ashpër, pasi një grup republikanësh e kundërshton certifikimin në disa shtete.

Së paku 14 senatorë republikanë dhe rreth 140 anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë thënë se do t’i sfidojnë rezultatet e disa shteteve. Por, ky vendim i i ka ndarë edhe vetë republikanët.

“Votuesit, gjykatat, shtetet – të gjithë kanë folur. Nëse i tejkalojmë ata, ne do ta dëmtojmë republikën tonë përgjithmonë”, tha Mitch McConnell, pasi disa republikanë kundërshtuan certifikimin e rezultatit në Arizona.