Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i bëri thirrje për dorëheqje presidentit Joe Biden, pasi talebanët morën nën kontroll kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim Trump u shpreh se “Ka ardhur koha që Joe Biden të japë dorëheqje me turp sepse lejoi të përjetohen ato që po ndodhin në Afganistan”.
“Kjo nuk duhet të jetë një gjë e rëndësishme. Sepse nuk u zgjodh në mënyrë legjitime”, theksoi Trump, lidhur me thirrjen e tij për dorëheqje ndaj Biden, duke kritikuar presidentin amerikan gjithashtu edhe në çështjet e rritjes së rasteve me COVID-19 në vend, migracionin e brendshëm, ekonominë dhe për energjinë.
Ndërsa në një njoftimin tjetër që publikoi përpara thirrjes për dorëheqje, ish-presidenti amerikan deklaroi se “Ajo që ka bërë Joe Biden në Afganistan është legjendë. Do të regjistrohet si një prej humbjeve më të mëdha në historinë e Amerikës”.
Procesi i dominimit të talebanëve në vend
Në kuadrin e marrëveshjes së paqes të arritur në shkurt 2020 mes SHBA-së dhe talebanëve, këtë vit filloi procesi i tërheqjes së forcave ndërkombëtare nga Afganistani.
Teksa marrëveshja parashikon që forcat e huaja të mos sulmohen, ajo nuk parashikon ndonjë dispozitë në lidhje me veprimet e talebanëve ndaj forcave afgane të sigurisë.
Talebanët të cilët vazhdojnë negociatat në Doha me qeverinë afgane, me sulme të ashpra të ndërmarra në mënyrë të njëkohshme që nga qershori dominuan me shpejtësi shumë rajone dhe qendra provinciale në muajin e fundit.
Po ashtu talebanët rrethuan kryeqytetin Kabul dhe teksa filluan të marrin nën kontroll lagjet periferike ata bënë thirrje për të marrë në dorëzim në mënyrë paqësore qeverinë dhe kryeqytetin.
Ndërkohë, presidenti afgan, Ashraf Ghani, në orët e mbrëmjes u largua nga vendi.
Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, njoftoi se për shkak të largimit të forcave qeveritare filluan të marrin nën kontroll qytetin dhe ndërtesat publike.
Talebanët nëpërmjet një deklarate nga presidenca në Kabul shpallën dominimin e tyre në kryeqytet dhe në vend.