Trump: Hoti dhe Vuçiq e kanë bërë botën më të sigurt

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka quajtur të jashtëzakonshëm guximin e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq për të shkuar më 4 shtator në Washington për ta nënshkruar marrëveshjen e arritur.

Në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit së fundi është publikuar një citat i Trump, ku shprehet se Hoti dhe Vuçiq e kanë bërë botën më të sigurt me veprimin e tyre – nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik, transmeton lajmi.net.

“Është dashur guxim i jashtëzakonshëm nga Presidenti i Serbisë, Vuçiq dhe Kryeministri i Kosovës, Hoti për të nisur këto bisedime dhe për të ardhur në Washington për ta finalizuar këtë angazhim”, citohet Trump.

“Duke vepruar kështu, ata i kanë bërë vendet e tyre, Ballkanin dhe botën më të sigurt”.

“Është vërtetë ditë historike. Kosova dhe Serbia janë pajtuar për normalizim ekonomik”.

Kujtojmë, se më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, në prezencën dhe në zyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është nënshkruar marrëveshja Kosovë – Serbi.