Presidenti Donald Trump i është drejtuar bazës së mbështetësve të tij, ndërsa po thellohet hetimi për një bashkëpunim të mundshëm të anëtarëve të fushatës së tij elektorale me Rusinë.
Presidenti Trump mori pjesë në një tubim të stilit elektoral në shtetin e Virxhinias Perëndimore, ku u votua gjerësisht në favor të tij gjatë zgjedhjeve të nëntorit të vitit të kaluar.
Ai i rikthehet bazës së mbështetësve të tij ndërsa po përballet me një nivel të ulët miratimi në sondazhe dhe një axhendë të ngadalësuar legjislative në Kongres.
Siç njofton korrespodenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, po shfaqen ndërkaq shenja pakënaqësie edhe në radhët e republikanëve.
I rikthyer mes mbeshtetësve të tij besnikë, Presidenti Trump kërkon të balancojë perceptimin se po kryeson një administratë të trazuar.
“Amerikanët e të gjitha llojeve po bashkohen me një qëllim të thjeshtë, për ta bërë Amerikën sërish madhështore!”, tha Presidenti Trump.
Ai iu kundërvu hetimeve për Rusinë, duke e quajtur hetimin “krejtësisht një sajesë”.
“Ne nuk fituam për shkak të Rusisë. Ne fituam prej jush. Kërkojnë t’ju largojnë nga udhëheqja që ju doni, nëpërmjet një historie false që na nëpërkëmb të gjithëve dhe në veçanti nëpërkëmb vendin tonë dhe Kushtetutën tonë”, tha Presidenti Trump.
Tubimi po zhvillohej ndërsa u njoftua se Prokurori i posaçëm Robert Mueller ka kërkuar mbledhjen e një jurie të madhe për të paraqitur provat e hetimit të tij për Rusinë.
Presidenti Trump vazhdon të tërheqë turma të mëdha, ndërsa përballet me vështirësi në sondazhet kombëtare.
Sipas anketimit më të fundit të Universitetit Quinnipiac, niveli i miratimit për të ka rënë në 33% dhe mbështetja për të po bie edhe në radhët e partisë së tij.
“Republikanët vazhdojnë sigurisht ta mbështesin, por tashmë në nivelin 70%, nga 90% që ka qenë më parë. Pra, ai po humb republikanët”, thotë Tim Malloy, i Universitetit Quinnipiac.
Kjo është e dukshme në marrëdhënien e tensionuar ndërmjet Presidentit dhe shumicës republikane në Kongres, në veçanti pas dështimit në Senat për sistemin e kujdesit shëndetësor.
Udhëheqësi republikan në Senat, Mitch McConnell refuzoi thirrjen e Presidentit Trump për të ndryshuar rregullat parlamentare.
“Siç ia kam thënë shpesh Presidentit dhe juve, nuk i kemi votat e duhura për të ndryshuar rregullat e Senatit”, deklaroi udhëheqësi i maxhorancës republikane, Senatori Mitch McConnell.
Presidenti Trump nënshkroi ligjin për sanksione ndaj Rusisë, i cili u miratua me mbështetje të madhe dypartiake në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.
Por, ai shkruajti gjithashtu në Twitter duke fajësuar Kongresin për marrëdhëniet e këqija me Rusinë, dhe duke shkaktuar kështu një kundërpërgjigje nga Senatori republikan Bob Corker.
“Mendoj se vepruam në mbrojtje të interesit kombëtar. Është Putini, i cili nëpërmjet veprimeve të tij, e ka ulur marrëdhënien në nivelin më të keq që nga viti 1991”, tha Senatori republikan Bob Corker, kryetar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë.
Natyra luftarake e zotit Trump motivon kundërshtarët e tij dhe gjithashtu tërheq bazën e tij mbështetëse.
“Ai zhvilloi një fushatë elektorale të pazakontë, si një kandidat i ashpër. Dhe nuk e ka ndyshuar këtë aspekt edhe pas marrjes së detyrës”, thotë Kyle Kondik, i Universitetit të Virxhinias.
Tashmë Presidenti dhe Kongresi do të pushojnë të shkëputur nga Uashingtoni. Ligjvënësit kanë filluar pushimin e tyre të përvitshëm të gushtit, ndërsa Presidenti Trump fillon 17 ditë pushimesh në kompleksin e tij të golfit në New Jersey./Mesazhi/