Presidenti i SHBA-ve Donald Trump reagoi kundër lajmeve në mediat amerikane se ai ka zhvilluar një takim jozyrtar me presidentin e Rusisë Vladimir Putin në kuadër të Samitit G20 të organizuar në qytetin Hamburg të Gjermanisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Trump në një mesazh të publikuar në rrjetin social në Twitter për pretendimet e mediave amerikane të bazuara në zyrtarin e Shtëpisë së Bardhë tha se janë “të sëmura”.
Duke vënë në dukje se me Putin nuk ka pasur kontakte përveç takimit zyrtar dypalësh, Trump tha se në darkën ku pretendohet se është zhvilluar takimi kanë qenë të ftuar të gjithë liderët dhe bashkëshortet e tyre.
“Lajmi i rremë se unë jam takuar me Putinin në një darkë sekrete është ‘i sëmurë’. Të gjithë liderët dhe bashkëshortet ishin aty si të ftuar të kancelares gjermane. Mediat e dinë mjaft mirë këtë”, ka shkruar Trump.
Duke iu referuar mediave të cilat e kritikojnë atë duke filluar nga CNN, Trump tha se ky lajm është shtrembëruar qëllimisht. “Lajmet e rreme çdo ditë e më shumë po bëhen dyfytyrëshe. Edhe një darkë të organizuar për liderët e Samitit G20 po tregohet me qëllim të keq”, tha ai.
Trump dhe Putin më 7 korrik në kuadër të Samitit të Liderëve G20 në Hamburg, realizuan takimin e parë kokë më kokë, ku ishte bërë e ditur se gjatë këtij takimi është bërë këmbimi i mendimeve për tema të ndryshme duke filluar nga ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA e deri tek armëpushimi në Siri.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cili nuk dëshiron që emri i tij të bëhet i ditur në një deklaratë për mediat amerikane pretendoi se pas takimit dypalësh të liderëve Trump dhe Putin më 7 korrik, në darkën e Samitit G-20 kanë zhvilluar edhe një takim jozyrtar të papublikuar në media.